Ballina Ekonomia Alarm për financat e ujësjellësve/ 9 nga 17 shoqëri nuk mbulojnë dot...

Alarm për financat e ujësjellësve/ 9 nga 17 shoqëri nuk mbulojnë dot as kostot e energjisë

78
0

Kostot e energjisë elektrike vijojnë të rëndojnë financat e ujësjellësve, duke zënë rreth një të katërtën e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes së sektorit. Sipas raportit të performancës së Entit Rregullator të Ujit, gjatë vitit 2025 këto kosto u rritën me 85.8 mln lekë, ose 3.5%, krahasuar me një vit më parë.

Kontributin më të madh në këtë rritje e dhanë shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve Durrës dhe Fier. Për Durrësin, raporti e lidh shtimin e shpenzimeve kryesisht me rritjen e vëllimit të ujit të prodhuar dhe të shpërndarë, që ka kërkuar më shumë orë pune të stacioneve të pompimit dhe, për pasojë, më shumë energji elektrike.

Por përballimi i faturave mbetet problem për një pjesë të konsiderueshme të sektorit. Nga 17 shoqëri që operuan gjatë vitit 2025, vetëm 8 arritën të mbulonin kostot operative dhe të mirëmbajtjes me të ardhurat e faturuara. Nëntë të tjerat, ose 53%, nuk e arritën këtë nivel mbulimi.

Sipas ERRU-së, kjo gjendje shoqërohet me akumulimin nga viti në vit të detyrimeve të prapambetura ndaj OSHEE-së, pavarësisht subvencioneve të akorduara nga qeveria.

Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se në fund të qershorit 2026, borxhi i klientëve jobuxhetorë, kategori ku përfshihen edhe ujësjellësit, arriti në 21.21 mld lekë. Krahasuar me fundin e vitit 2025, detyrimet e kësaj kategorie u shtuan me 296 milionë lekë, ndërsa kundrejt fundit të vitit 2024, rritja arrin në rreth 1.66 miliardë lekë.

Ndërkaq, ERRU vlerëson se kostot e energjisë do të mbeten një faktor me ndikim të konsiderueshëm në financat e sektorit, për sa kohë një pjesë e shoqërive nuk sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar plotësisht shpenzimet operative.