Pedagogu Lush Susaj, i ftuar në një intervistë televizive, ka komentuar protestën e studentëve dhe situatën në universitetet shqiptare, duke ngritur shqetësime për presionin ndaj pedagogëve, gjendjen e studentëve dhe reagimin e policisë.
Susaj deklaroi se pedagogët ndihen të shantazhuar dhe të frikësuar, ndërsa studentët shqiptarë, sipas tij, po përballen me padrejtësi. Ai kritikoi gjithashtu veprimet e policisë gjatë protestave, duke pretenduar se ajo është e politizuar dhe po ushtron dhunë.
Sipas pedagogut, studentët e kanë dhënë tashmë përgjigjen e tyre dhe nuk besojnë më te mundësia e dialogut me kryeministrin Edi Rama.
Ai akuzoi kryeministrin për manipulim të procesit zgjedhor dhe tha se studentët nuk do të mashtrohen apo përçahen më. Sipas tij, një dialog i mundshëm mund të shqyrtohet vetëm pas dorëheqjes së Ramës.
Më tej, Susaj i bëri thirrje kryeministrit të dëgjojë kërkesat dhe shqetësimet e studentëve, duke theksuar nevojën për ndryshime në mënyrën se si trajtohen problemet e tyre.
“Pedagogët ndihen të shantazhuar, janë në hall. Studenti shqiptar është më i vjedhur. Stafet pedagogjike janë të frikësuar. Policia është e politizuar dhe po ushtron dhunë. Studentët kanë dhënë përgjigje, nuk ka dialog me Edi Ramën sepse e shuajti besimin përgjithmonë. Ky burrë që thotë se e ka votuar Shqipëria, i ka vjedhur votat. Studentët nuk do të mashtrohen më dhe as që do të përçahen. Pas dorëheqjen ndoshta do të mund të flitet për dialog. Kryeministri duhet të dëgjojë zërin e arsyes”, tha mes të tjerash ai.







