Ballina Europë Goditet “banka e fshehtë” e mafias në Itali, 30 të arrestuar dhe...

Goditet “banka e fshehtë” e mafias në Itali, 30 të arrestuar dhe 21 milionë euro pasuri të sekuestruara! Në rrjet edhe shqiptarë

63
0

Një organizatë kriminale që funksiononte si një “bankë e fshehtë”, duke pastruar dhe transferuar miliona euro jashtë Italisë, është goditur nga autoritetet italiane. Në rrjetin kriminal, që kishte lidhje edhe me Zvicrën, dyshohet se ishin përfshirë edhe shtetas shqiptarë.

Operacioni i zhvilluar nga Guardia di Finanza e Milanos dhe Monza Brianzës, nën koordinimin e Prokurorisë Antimafia të Milanos, ka çuar në arrestimin e 30 personave, nga të cilët 16 janë dërguar në burg, ndërsa 14 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie. Gjithashtu, janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 21 milionë euro.

Sipas mediave italiane, organizata dyshohet se pastronte para të përfituara nga mashtrimet tatimore, trafiku ndërkombëtar i drogës dhe armëve. Hetimet kanë zbuluar mbi 110 milionë euro fatura fiktive dhe 68 milionë euro transaksione të dyshuara për pastrim parash përmes kriptomonedhave.

Në qendër të skemës ishte një strukturë financiare e paligjshme, e fshehur pas një kompanie që merrej me dhënien e makinave me qira në zonën e Peros, pranë Milanos.

Sipas hetuesve, ajo drejtohej nga tre italianë me lidhje të dyshuara me organizatat mafioze ‘Ndrangheta dhe Camorra. Rrjeti kishte gjithashtu bashkëpunëtorë shqiptarë dhe kinezë, të cilët dyshohet se ndihmonin në funksionimin e skemës ndërkombëtare të transferimit të parave.

Mekanizmi i përdorur ishte i sofistikuar. Përmes kompanive fiktive lëshoheshin fatura për shërbime që nuk ishin kryer kurrë. Paratë transferoheshin në llogaritë e këtyre kompanive dhe më pas u ktheheshin klientëve në para të gatshme, ndërsa një pjesë tjetër dërgohej jashtë vendit ose konvertohej në kriptomonedha për të fshehur origjinën.

Një rol të rëndësishëm në këtë skemë dyshohet se kishte një 62-vjeçar, i lindur në Napoli, i cili u arrestua në Lugano të Zvicrës. Ai dyshohet se administronte portofole kriptomonedhash për të penguar gjurmimin e parave me origjinë kriminale.

Hetuesit kanë identifikuar të paktën 51.5 milionë euro që dyshohet se janë kanalizuar përmes llogarive të kompanive fiktive, një pjesë e konsiderueshme e të cilave është konvertuar në kriptomonedha.

Operacioni u shtri në disa provinca italiane dhe në kantonin Ticino të Zvicrës, me angazhimin e mbi 350 efektivëve të Guardia di Finanza dhe bashkëpunimin e strukturave ndërkombëtare të policisë.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan para të gatshme, llogari bankare, kriptomonedha, automjete, anije, bizhuteri, ora luksoze dhe pajisje për numërimin e parave.

Sipas Prokurorisë së Milanos, kjo strukturë u ofronte organizatave kriminale shërbime të ngjashme me ato të një banke të mirëfilltë, por jashtë çdo kontrolli ligjor, duke mundësuar lëvizjen e shumave të mëdha të parave përtej kufijve dhe shmangien e mekanizmave kundër pastrimit të parave.

Deri tani nuk janë bërë të ditur identitetet apo numri i shtetasve shqiptarë të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal.