Nga Elona Caslli
Në këtë çast kritik për Shqipërinë, kur shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë të jenë të bashkuar kundër narkoshtetit, ndeshem me statuse të disa njerëzve që marrin guximin të përcaktojnë se kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë pjesë e protestës.
Protesta zhvillohet në një hapësirë publike, mbi të cilën çdo qytetar shqiptar ka të drejta të barabarta. Askush nuk mund ta trajtojë hapësirën publike si pronë private dhe as të marrë përsipër të vendosë se kush e meriton të jetë aty e kush duhet të përjashtohet.
Kur e sheh hapësirën publike si pronë të vetën dhe shpall kategori njerëzish që, sipas tij, nuk duhet të jenë pjesë e protestës, a nuk po riprodhon modelin e Ramës në qeverisje?!
Nëse Rama në thelb, thotë: ‘Shqipëria është imja!’, këta njerëz, përmes statuseve të tyre, duket sikur thonë: ‘Sheshi është yni!’
Ndryshon vendi, ndryshojnë protagonistët, por mendësia mbetet e njëjtë: përvetësimi i hapësirës publike, arroganca e pushtetit dhe përjashtimi i atyre që nuk përshtaten me vullnetin e dikujt.
Friedrich Nietzsche, në veprën Përtej së mirës dhe së keqes, na lë një paralajmërim që mbetet i vlefshëm edhe sot:
‘Kujdes kur lufton me përbindëshat, që të mos bëhesh vetë një përbindësh.’
Post scriptum: Para se të publikoni statuse kundër dikujt, ndaluni një çast dhe pyesni veten: A po e luftoni kundërshtarin, apo po riprodhoni modelin e tij?







