Samuel Springsteen, djali i këngëtarit të njohur Bruce Springsteen dhe bashkëshortes së tij, Patti Scialfa, vendosi të ndiqte një rrugë krejt ndryshe nga prindërit e tij të famshëm, duke u bërë zjarrfikës.
Samuel Ryan Springsteen, 32 vjeç, është më i vogli nga tre fëmijët e çiftit. Bruce Springsteen, 77 vjeç, dhe Patti Scialfa, 72 vjeç, kanë gjithashtu djalin Evan James, 36 vjeç, dhe vajzën Jessica Rae, 34 vjeçe.
Mediat shkruajnë se edhe pse u rrit në një familje të njohur në industrinë e muzikës, Sam kishte një ëndërr tjetër: të bëhej zjarrfikës. Ai nisi të punonte për realizimin e këtij synimi shumë kohë përpara se të betohej zyrtarisht në këtë detyrë.
Më 15 janar 2014, Patti Scialfa njoftoi përmes Instagramit se djali i saj kishte përfunduar Akademinë e Zjarrfikësve të Qarkut Monmouth. Pas diplomimit, Henry Stryker III, përgjegjës i shërbimit zjarrfikës në qarkun Monmouth, e vlerësoi Sam për përkushtimin e tij.
“Ai është shumë i zgjuar. I pëlqente ajo që po bënte”, deklaroi Stryker për rrjetin USA Today Network New Jersey.
Sam vijoi të ndiqte këtë rrugë edhe në vitet në vazhdim. Në vitin 2017, ai iu nënshtrua provimit të shërbimit civil, si pjesë e procesit për t’u bërë zjarrfikës në New Jersey. Gjithashtu, fitoi përvojë përmes angazhimit si vullnetar në shërbimin zjarrfikës.
Në vitin 2016, ai dhe një tjetër zjarrfikës vullnetar ndihmuan në shpëtimin e një peshkatari që kishte mbetur i bllokuar në baltë, sipas raportimeve të Cape May County Herald.
Përkushtimi i tij u kurorëzua në janar të vitit 2020, kur Sam ishte mes 15 personave që u betuan si zjarrfikës të qytetit Jersey City, gjatë një ceremonie të zhvilluar në bashkinë e qytetit, nën drejtimin e kryetarit të atëhershëm, Steven Fulop. Në atë kohë, Bruce Springsteen nuk e fshehu krenarinë për arritjen e të birit.
“Kjo është dita e djalit tim, ndaj unë po qëndroj mënjanë. Jemi shumë krenarë. Ishte një rrugëtim i gjatë. Ai ka qenë shumë i përkushtuar për disa vite dhe sot jemi thjesht të emocionuar për të”, u shpreh këngëtari për ABC7.
Edhe Patti Scialfa e festoi këtë moment të rëndësishëm përmes një postimi në Instagram, ku publikoi një fotografi të të birit dhe e përgëzoi për suksesin.
“Ndiqe ëndrrën tënde! Jam shumë krenare dhe e lumtur për ty! Urime të gjithëve që ishin aty dje. Faleminderit dhe qëndroni të sigurt!”, shkroi ajo.
Një zgjedhje larg famës së prindërve
Vendimi i Sam për të ndërtuar një karrierë jashtë industrisë së argëtimit përputhet me mënyrën se si Bruce Springsteen dhe Patti Scialfa kanë zgjedhur t’i rrisin fëmijët e tyre.
Në një intervistë për The New York Times në vitin 2017, këngëtari foli për rëndësinë që kishte për të dhe bashkëshorten që fëmijët të zhvillonin interesat e tyre, pa ndier presionin për të ndjekur hapat e prindërve të famshëm.
“Fëmijët tanë erdhën në jetë kur ne ishim më të rritur. Unë isha 40 vjeç kur lindi djali ynë i parë. Gjatë gjithë këtyre viteve, ata kanë treguar një mungesë të shëndetshme interesi për punën tonë”, tha Springsteen.
Ai tregoi gjithashtu se fëmijët kishin heronjtë dhe preferencat e tyre muzikore, ndërsa shpesh nuk reagonin as kur dikush përmendte titujt e këngëve të tij.
“Gjithmonë e kam konsideruar këtë si një shenjë se e kishim bërë mirë punën tonë si prindër”, shtoi këngëtari.
Për Bruce Springsteen, duket se suksesi i fëmijëve nuk matet me ndjekjen e famës së tij, por me aftësinë e tyre për të gjetur rrugën dhe pasionin e vet. Në rastin e Sam, kjo rrugë e çoi larg skenave muzikore, drejt një profesioni që kërkon përkushtim, guxim dhe gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve.







