Ministri Enea Karakaçi, njëherësh drejtues politik i Qarkut Shkodër, ka qenë këtë të shtunë në kryeqendrën e veriut dhe siç raportohet, i ka porositur të gjithë drejtuesit e institucioneve lokale që të japin dorëheqjen.
Ai ju është drejtuar të gjithë drejtuesve nga Partia Socialiste dhe ajo Social-Demokrate, duke u shprehur se nuk do të bëhet përjashtim për askënd, por do ketë dorëheqje në bllok.
Sipas mediave lokale urdheri i tij për drejtuesit e administratës lokale tregon se vendimi i kryeministrit Edi Rama nuk do të kufizohet vetëm në Tiranë, por në të gjitha qarqet e vendit do të ketë dorëzim të detyrës nga drejtorët aktualë.
Mbledhja e ministrit Enea Karakaçi me drejtorët e Partisë Socialiste dhe asaj Social-Demokrate në kryeqendrën e veriut ka zgjatur për rreth 30 minuta dhe burimet tregojnë se ai ka qenë i prerë: të gjithë pa përjashtim do të dorëzojnë detyrën.







