Ballina Politika Dash Sulës i kapin mat bisedat me Ramën, si kapitulloi “Gjeli i...

Dash Sulës i kapin mat bisedat me Ramën, si kapitulloi “Gjeli i Peqinit” përpara kryeministrit për një karrige

54
0

Historia politike shqiptare ka parë transformime të shumta, por rënia e lirë e Dashnor Sulës po thyen çdo rekord të servilizmit politik. Ish-deputeti i opozitës, i cili dikur shqyente fytin në foltoren e Parlamentit, ngrinte pankarta e betohej se do të përmbyste “regjimin” e Edi Ramës, ka përfunduar sot në rolin e një zyrtari të bindur që zbaton me përkushtim çdo porosi të kryeministrit.

Një moment pakujdesie live gjatë një interviste në Top News ka zbuluar lakuriqësinë e tij politike. Në përpjekje dëshpëruese për të pastruar figurën e Ramës e për të treguar sa “parimor” është ai kundër nepotizmit, Kryeinspektori i Përgjithshëm Sula publikoi një audiomesazh ku Rama i thoshte:

“Jo po djali i këtij, jo po djali i atij… mos i dëgjo fare, më dëgjo mua o burrë, vër atë që është më i sakti”.

Mirëpo, ekrani i celularit tradhtoi Sulën duke kapur edhe fundin e bisedës me shkrim. Teksti i nisur nga ai sapo mbylli audion është një dëshmi e qartë e kapitullimit:

“Shum e drejte Shefi Madh. Dhe te vleresoi maksimalisht per kete qasje pozitive ndaj njerzve qe e meritoin te vleresohen. Sinqerisht.”

'Shumë e drejtë shefi i madh'/ Dash Sulës i kapin mat

Ky nivel i lartë jargosjeje vjen nga i njëjti njeri të cilin Edi Rama e tallte rregullisht publikisht në Parlament duke i thirrur:

“Mos bërtit ti o gjel deti i Peqinit!” dhe “Pusho o gjel deti se nuk je në festën e gjelave!”.

Atëherë Sula, për të shpëtuar fytyrën para kamerave, kthehej me replika si:

“Më mirë gjel me shtyp apo pulë të shtypesh! Kryeministrit tonë i pjell gjeli flori!”.

Ai lëshonte deklarata të ashpra duke akuzuar qeverinë se me politikat e saj kishte zbrazur vendin dhe kishte detyruar të rinjtë të merrnin rrugën e mërgimit.

Por me sa duket, sapo partia e la jashtë listave për deputet dhe Rama i ofroi karrigen e ngrohtë të Kryeinspektorit të Përgjithshëm, “përbuzësi i shqiptarëve” u kthye urgjentisht në “Shefin e Madh”.

Për të vërtetuar se ai nuk është thjesht një nëpunës, por një i konvertuar i lumtur në oborrin e Rilindjes, Sula kaloi në delir të plotë televiziv duke deklaruar:

“Nuk ja shpërdorj besimin atij burri që sot është Kryeministri i Shqipërisë. Ju do thoni ke rënë në dashuri me të? PO. Kam 6 muaj në krye të këtij inspektoriati, zero ndërhyrje nga ai burrë. Komunikojmë në përditshmëri.” 

Ndërkohë, zyra e tij u përpoq të bënte gallatën e radhës kur Sula u fotografua duke mbajtur shënime me përkushtim prej nxënësi të trembur ndërsa fliste Rama, duke e shitur si “strategji politike”.

Ky distancim total nga njerëzit që dikur e votonin u pa qartë edhe këto ditë. Ndërsa rrugët e Tiranës ziejnë nga protestat e qytetarëve dhe të rinjve që ngrihen kundër skandaleve të qeverisë, Kryeinspektori i Ramës u kërkon protestuesve “maturi” dhe përsërit thirrjet për dialog të Kryeministrisë, duke mos thënë asnjë fjalë për faktin se vartësit e tij u akuzuan publikisht se mbronin selitë e PS-së me hunj në duar. Komunikimi i tyre i përditshëm në orët e vona të natës tregon se “Gjeli i Peqinit” ka pësuar mutacionin përfundimtar, duke hequr pendët e opozitarit për t’u kthyer në një pulë të bindur oborri.