Tre deputete të Kuvendit të Kosovës dhe ambasadori i Kosovës në Beograd nuk janë lejuar nga autoritetet serbe të hyjnë në Preshevë për t’i shprehur ngushëllimet kryetares së komunës, Ardita Sinani, pas vdekjes së babait të saj.
Deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe Liza Gashi, së bashku me ambasadorin Jetish Jashari dhe këshilltarin e kryeministrit Albin Kurti, Ragmi Mustafi, janë mbajtur për disa orë në pikën kufitare të Depcës, përpara se t’u komunikohej se nuk mund të vazhdonin drejt Preshevës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sinani përmes një postimi në Facebook, ku ka sqaruar se vizita ishte personale dhe nuk kishte karakter zyrtar. Mustafi kishte planifikuar t’i përcillte asaj edhe ngushëllimet e kryeministrit Kurti.
“Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast. Kjo është një situatë për t’u mbajtur mend për të keq, e ku Serbia shpërfaq politikën e saj diskriminuese në çdo pore të jetës, qoftë edhe në raste të vdekjeve e ku vizitat kanë për qëllim vetëm ndarjen e dhimbjes”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, pavarësisht pengesave, Serbia nuk do të arrijë të ndajë lidhjet politike dhe shpirtërore mes përfaqësuesve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.







