Ballina Sport ​Goditje për Barcelonën pas El Clasicos, ylli 19-vjeçar jashtë për shtatë javë

​Goditje për Barcelonën pas El Clasicos, ylli 19-vjeçar jashtë për shtatë javë

49
0

Xavi Espart do të mungojë rreth shtatë javë, pasi ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës së djathtë gjatë El Clasicos kundër Real Madridit, duke i shkaktuar një tjetër problem Barcelonës në repartin defensiv.

Sipas mediumit spanjoll Marca, ekzaminimet mjekësore të kryera të hënën kanë konfirmuar se mbrojtësi 19-vjeçar ka pësuar një dëmtim të sindesmozës në kyçin e këmbës së djathtë. Lëndimi erdhi pas një përplasjeje me Aurelien Tchouamenin në minutën e 10-të të ndeshjes së zhvilluar të dielën në Camp Nou.

Espart arriti të qëndronte në fushë deri rreth minutës së 30-të, por dhimbjet e detyruan t’i kërkonte trajnerit Hansi Flick zëvendësimin. Mbrojtësi i ri kishte përjetuar shqetësime në të njëjtën pjesë të këmbës edhe pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit, megjithatë ishte përfshirë në formacionin titullar ndaj Real Madridit.

Mungesa e tij për afërsisht shtatë javë përbën një goditje për Barcelonën dhe trajnerin Flick, pasi Espart ishte shndërruar në një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës. Megjithatë, tekniku gjerman shpreson që Eric Garcia, Jules Kounde dhe Andreas Christensen, të cilët aktualisht janë jashtë fushave, të rikthehen së shpejti në dispozicion.

Lëndimi i Espartit mund t’i japë më shumë hapësirë Alejandro Baldes, i cili e zëvendësoi atë në El Clasico, si dhe Joao Cancelos për pozicionet e krahëve të mbrojtjes.

Sipas Marca-s, Espart pritet të humbasë së paku ndeshjet e Barcelonës kundër Alavesit dhe Atletico Madridit në La Liga, si dhe përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Aston Villas.