Ambasada gjermane në Kosovë ka reaguar pas vrasjes së rëndë të 49-vjeçares Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e masave parandaluese kundër dhunës me bazë gjinore dhe zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave.
Përmes një komunikate, ambasada ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimës, duke theksuar se e drejta e grave për të jetuar të lira nga frika dhe dhuna duhet të garantohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete.
“Femicidi nuk është një rast i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore si shfaqja më ekstreme e dhunës ndaj grave, e cila kërkon një përgjigje të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Përfaqësuesit gjermanë kanë nënvizuar se siguria dhe mbrojtja e grave në rrezik duhet të jenë prioritet, duke kërkuar masa efektive parandaluese, ndërhyrje institucionale në kohën e duhur dhe shërbime mbështetëse të aksesueshme.
Ambasada ka rikujtuar gjithashtu se Kosova është palë në Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.







