Qin Shi Huang, perandori i parë i Kinës, ishte një nga figurat më me ndikim në historinë e vendit. Ai bashkoi territoret kineze dhe hodhi themelet e një perandorie që ndikoi në historinë e Kinës për rreth 2000 vjet. Megjithatë, ai kujtohet jo vetëm për arritjet, por edhe për sundimin e ashpër dhe përpjekjet e tij për të mposhtur vdekjen.
Historianët e kanë të vështirë të përcaktojnë karakterin e tij të vërtetë. Biografia e parë e perandorit u shkrua nga historiani Sima Qian, më shumë se një shekull pas vdekjes së tij. Sipas historianit FilippoMarsili, qëndrimi kritik i autorit mund të ketë ndikuar në mënyrën si është paraqitur sundimtari, duke ekzagjeruar disa nga mizoritë e tij.
Nga princ në perandor
Qin Shi Huang lindi me emrin Ying Zheng në vitin 259 para Krishtit, kur Kina ishte e ndarë në shtete rivale. Në moshën 13-vjeçare, ai mori fronin e shtetit Qin, një nga më të fuqishmit e kohës.
Në vitin 221 para Krishtit, pasi pushtoi gjashtë mbretëritë e tjera, ai bashkoi Kinën dhe mori titullin Qin Shi Huangdi, që mund të përkthehet si “perandori i parë hyjnor i Qin-it”.
Ai vendosi standarde të përbashkëta për peshat, masat, shkrimin, ligjet dhe përmasat e boshteve të karrocave. Gjithashtu, ndërmori projekte të mëdha infrastrukturore, ndërtoi rrugë dhe sisteme ujitjeje, si dhe lidhi fortifikimet në kufirin verior, të cilat u bënë pjesë e Murit të Madh të Kinës.
Një nga projektet më të njohura ishte varri i tij monumental, i ndërtuar nga punëtorë të rekrutuar në të gjithë perandorinë. Kompleksi ruhet nga më shumë se 8000 ushtarë prej terakote.
Megjithatë, sundimi i tij ishte tepër autoritar. Ai mbështetej te legalizmi, një filozofi politike që e konsideronte natyrën njerëzore egoiste dhe kërkonte ligje të ashpra për të ruajtur rendin. Për më tepër, dobësoi aristokracinë dhe zëvendësoi sistemet feudale me një administratë të centralizuar.
Obsesioni për pavdekësinë
Sipas Sima Qianit, perandori besonte se dinastia e tij do të sundonte për 10,000 breza dhe ishte i fiksuar pas gjetjes së eliksirit të jetës së përjetshme.
Në atë kohë, alkimia kineze lidhej me filozofinë taoiste dhe synonte zgjatjen e jetës përmes harmonisë me natyrën dhe kozmosin. Alkimistët përgatisnin përzierje me materiale si nefriti dhe cinabari, një mineral që përmban merkur. Ata besonin se vetitë e këtyre substancave mund ta transformonin trupin dhe ta mbronin nga vdekja.
Megjithatë, përzierje të tilla mund të ishin helmuese. Disa studiues dyshojnë se Qin Shi Huang mund të ketë vdekur nga një helmim i tillë, por kjo nuk është vërtetuar.
Misioni misterioz i XuFu-së
Një nga alkimistët më të njohur të kohës ishte Xu Fu. Sipas rrëfimeve historike, ai i tha perandorit se në malin mitik Penglai, përtej bregdetit lindor, jetonin të pavdekshmit dhe rritej një bimë që mundësonte jetën e përjetshme.
Në vitin 219 para Krishtit, Qin Shi Huang e dërgoi Xu Fu-në në kërkim të saj. Pas kthimit, alkimisti pretendoi se një përbindësh detar ua kishte bllokuar rrugën dhe kërkoi harkëtarë për ta vrarë.
Më vonë, ai deklaroi se kishte gjetur të pavdekshmit, por se ata kërkonin mijëra të rinj, zejtarë të aftë, fara dhe drithëra. Perandori pranoi t’ia jepte dhe Xu Fu u nis sërish në udhëtim, por nuk u kthye më.
Sipas legjendës, ai mbërriti në një vend me fusha të gjera dhe këneta, ku u shpall mbret.
Vdekja e perandorit dhe trashëgimia e legjendës
Qin Shi Huang vdiq papritur në vitin 210 para Krishtit, në moshën 49-vjeçare. Vdekja e tij shkaktoi një krizë trashëgimie dhe dinastia Qin u shemb rreth vitit 206 para Krishtit, duke u zëvendësuar nga dinastia Han.
Ndërkohë, legjenda e Xu Fu-së vazhdoi të jetonte në Kinë, Kore dhe Japoni. Në Japoni, ku njihet si Jofuku, atij i atribuohen përhapja e njohurive për bujqësinë, peshkimin dhe mjekësinë. Megjithatë, arkeologët nuk kanë gjetur prova përfundimtare që vërtetojnë mbërritjen e tij.
Disa studiues e shohin historinë e tij si simbol të migrimit nga Kina drejt Japonisë dhe Koresë gjatë periudhës kur bujqësia e orizit dhe përpunimi i metaleve po përhapeshin në Azinë Lindore.







