Ballina Aktualitet “41 raste sulmesh ndaj gazetarëve, 6 me plumba gome”, AGSH kërkon hetim...

“41 raste sulmesh ndaj gazetarëve, 6 me plumba gome”, AGSH kërkon hetim për dhunën policore në protesta: Gjithçka e dokumentuar me pamje filmike

61
0

Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) ka denoncuar dhjetëra raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave gjatë protestave, duke kërkuar nisjen e hetimeve për çdo incident të raportuar. Përfaqësuesi i AGSH-së, Isa Myzyraj, deklaroi se janë dokumentuar 41 raste sulmesh të synuara ndaj mediave dhe gazetarëve, ndërsa rreth 60 punonjës mediash janë përfshirë në incidente.

I ftuar për të folur mbi situatën, Myzyraj theksoi se këto shifra dëshmojnë klimën e vështirë në të cilën po ushtrojnë profesionin gazetarët. Ai veçoi gjashtë raste që i cilësoi veçanërisht shqetësuese, ku punonjësit e mediave janë goditur me plumba gome nga policia.

“Na ka ndihmuar shumë fakti që shumica e rasteve janë të dokumentuara me pamje filmike”, u shpreh Myzyraj, duke nënvizuar se materialet filmike mund të shërbejnë si prova për zbardhjen e incidenteve.

Përfaqësuesi i AGSH-së kërkoi që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria e Tiranës të nisin hetimet për të gjitha rastet e raportuara nga organizata. Ai kërkoi gjithashtu distancim dhe sqarime nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke argumentuar se, si drejtuesi më i lartë i strukturës policore, ai duhet të japë përgjigje për sulmet ndaj gazetarëve.

Myzyraj u bëri thirrje edhe partive politike, përfshirë partinë në pushtet, që të dënojnë publikisht dhunën ndaj gazetarëve dhe medias. Sipas tij, edhe deputetët duhet të tregojnë qartë qëndrimin e tyre kundër sulmeve ndaj punonjësve të medias.

“SPAK dhe Prokuroria e Tiranës, jemi gati t’u vëmë në dispozicion fakte”, deklaroi ai, duke shtuar se institucionet shtetërore kanë mekanizmat e nevojshëm për të nisur hetime kryesisht për rastet e dyshuara të tejkalimit të detyrës dhe ushtrimit të dhunës nga punonjësit e policisë.