Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur rreth paketës fiskale të vitit 2027. Ajo ka kundërshtuar përfshirjen e bizneseve të vogla në këtë paketë duke e cilësuar si një hap që do t’i dëmtojë rëndë në të ardhmen.
Tabaku ka kundërshtuar edhe përfshirjen e profesionistëve të lirë në TVSH, të cilët me profesionin që kryejnë sigurojnë të ardhura jetike dhe tatimi ndaj tyre do t’i shtrëngonte edhe më shumë. Rreziku që shumë biznese të falimentojnë është një risk i madh për ekonominë shqiptare dhe duket në horizont me këto masa që janë miratuar nga mazhoranca.
“Për 14 vite me radhë, Edi Rama i mbitaksoi shqiptarët, sidomos shtresën e mesme, duke i bërë taksapaguesit më të lartë në të gjithë rajonin e duke e kthyer Shqipërinë në vendin që takson më shumë qoftë çmimin e produkteve, qoftë karburantin, qoftë pagat, qoftë punën.
Përsëri gënjeu shqiptarët për t’u hedhur hi syve dhe e solli Paketën Fiskale dhe Buxhetin përsëri me taksa të larta.
Së pari, të gjitha bizneset e vogla do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duke sjellë çmime më të larta ose mbylljen e tyre.
Po çfarë kanë këta me njerëzit e punës? Çfarë kanë këta që i detyrojnë bizneset të largohen, të mbyllen e të mos kenë asnjë të ardhme? Çdo biznes i vogël sot mban një familje. Mbas çdo biznesi që mbyllet, është një familje pa të ardhura.
Së dyti, profesionistët e lirë janë shtresa e mesme e shoqërisë, janë palca e shoqërisë, me të cilët fituam një betejë në Gjykatën Kushtetuese. Sot do të kenë 21% TVSH, duke i detyruar ata që t’i rrisin të gjitha shërbimet e tyre me 21%, gjithmonë nëse ia dalin t’i mbajnë në këmbë bizneset e tyre të vogla.
Së treti, e gjithë shoqëria do të përjetojë një rritje taksash, duke nisur me TVSH-në 21%, me taksën e karburantit, e cila nuk paguhet te nafta, por paguhet te makina.
Është thjesht gënjeshtër, është thjesht hi syve fakti që këta mund të ulin taksa, se shifrat janë atje, buxheti është atje.
Shoqëria shqiptare, çdo shqiptar, çdo biznes do të paguajë taksa më të larta, duke nisur nga 1 janari 2027.
Për shqiptarët, thesin e rrenave. Për miqtë, thesin e miliardave.
10 miliardë euro të buxhetit, nga të cilat pothuajse gjysma është taksa e korrupsionit, ashtu siç ka qenë çdo vit. Asgjë e re”, u shpreh Tabaku.







