Ballina Politika Front i përbashkët opozitar? Bardhi: PD e ka derën të hapur! Shehaj:...

Front i përbashkët opozitar? Bardhi: PD e ka derën të hapur! Shehaj: Jemi dakord, mbrojmë parimet

57
0

Të ftuar në një studio televizive në këtë mbrëmje në 29 tetor ishin figura nga parti të ndryshme opozitare.

Moderatori Blendi Fevziu pyeti të ftuarit nëse mund të kemi një bashkim forcash, që do të sillte një front të përbashkët opozitar. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh se dera e Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim.

Kryetari i partisë Mundësia Agron Shehaj deklaroi se janë për bashkëpunimin, por duke pasur prioritet studentët. Nga ana e tij, kreu i partisë Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj  theksoi se sot që flasim, bashkimi i forcave opozitare nuk është i mundur, sepse nuk e lejon kodi elektoral. Bëri thirrje për ndryshim të Kodit Zgjedhor.

Gazment Bardhi: Dera e PD ka qenë gjithmonë e hapur. Jemi dakord për një bashkim mes forcave opozitare, patjetër, pavarësisht dallimeve në mendim.

Agron Shehaj: Ne kemi një protestë të madhe dhe është një faktor që është aty, sepse nuk është dëgjuar. Ne jemi gati për bashkim dhe bashkëpunim, por duke pasur prioritet studentët që protestojnë. Ne jemi gati të lëshojmë në bashkëpunim, por jo mbi parimet. Shqipëria ka nevojë që klasa e vjetër politike të largohet dhe Rama të largohet. Nuk mund të kërkoj largimin e Berishës, sepse ai është kryetar i një partie, siç jam unë. Ne duhet të dëgjojmë mendimin e qytetarëve, sepse shqiptarët kanë nevojë për politikanë me integritet.

Adriatik Lapaj: Mosbashkimi i partive të reja në zgjedhje ka sjellë këtë që po ndodh në Shqipëri sot. Nëse do kishte bashkim të forcave të reja, Rama nuk do të kishte këtë arrogancë, që ka sot, që me kartonë mbron korrupsionin. Jam pro një fronti të madh opozitar kundër sistemit. Sot që ne flasim nuk është e mundur, sepse nuk e lejon ligji elektoral. Por në parim jam dakord. Kodi Zgjedhor që kemi në fuqi nuk lejon as koalicione parazgjedhore.