Ballina Bota “Më në fund ra shi!”/ Zjarrfikësit në Indonezi shpërthejnë në festë pas...

“Më në fund ra shi!”/ Zjarrfikësit në Indonezi shpërthejnë në festë pas muajsh luftë me flakët, gjunjëzohen dhe puthin tokën e lagur

66
0

Një moment i fortë emocionesh është regjistruar në Indonezi, ku zjarrfikësit vullnetarë kanë shpërthyer në festë pasi reshjet e shiut ndërprenë periudhën e gjatë të zjarreve shkatërruese në pyje. Pas muajsh të tërë përballjeje me flakët, tymin toksik dhe temperaturat e larta, ata janë parë duke kërcyer, përqafuar njëri-tjetrin dhe duke u gjunjëzuar për të prekur tokën e lagur.

Pamjet, që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale, tregojnë lehtësimin e madh të zjarrfikësve, për të cilët shiu nuk ishte thjesht një ndryshim i motit, por ndihma që kishin pritur prej muajsh.

Skenat prekëse u filmuan në rajonin Palakkaraya, në provincën Kalimantan Qendrore, ku zjarret në pyje kanë përfshirë zona të gjera që prej muajit gusht, duke shkaktuar ndotje të rëndë të ajrit.

Mbrëmjen e së mërkurës, më 28 tetor, kur një tjetër rrebesh shiu përfshiu zonën, zjarrfikësit dolën në rrugë, u hodhën në pellgje me ujë dhe u gjunjëzuan në shenjë mirënjohjeje.

Zjarrfikësi vullnetar Lukman El Hakim rrëfeu për Agence France-Presse emocionet që përjetuan kur nisën reshjet.

“Ishim pa masë të gëzuar. Të gjithë ne vullnetarët ishim aq të lumtur saqë ramë përtokë për të shprehur mirënjohjen tonë. Faleminderit Zotit që më në fund ra shi”, tha ai.