Ballina Politika “Drejtësi për Veliajn”/ Ambasadorja e BE-së dhe zyrtarët europianë reagojnë për protestat...

“Drejtësi për Veliajn”/ Ambasadorja e BE-së dhe zyrtarët europianë reagojnë për protestat në Shqipëri: Dhuna e papranueshme

49
0

Takimi i katërt i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, i zhvilluar në Elbasan, u shoqërua edhe me diskutime mbi zhvillimet e fundit politike në vend.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, dënoi dhunën e shfaqur gjatë protestave, por njëkohësisht vuri theksin te përgjegjësia e institucioneve për të dëgjuar qytetarët dhe për t’iu përgjigjur pakënaqësive të tyre.

Gjatë takimit, ku në fokus ishte roli i pushtetit vendor në procesin e integrimit europian, ambasadorja theksoi se dhuna është e papranueshme, ndërsa institucionet duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të gjetur zgjidhje.

Edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, e cilësoi shqetësuese situatën e krijuar gjatë protestave në Shqipëri, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe të protestave paqësore. Sipas tij, në demokraci qytetarët kanë jo vetëm të drejta, por edhe detyrime.

Në këtë çështje u ndal edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, i cili gjithashtu e cilësoi dhunën të papranueshme. Por përtej protestave, zyrtari europian ngriti edhe çështje të tjera të ndjeshme, si reforma territoriale dhe çështja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Mazzeo theksoi se reforma territoriale duhet të mbështetet te funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor dhe jo te interesat elektorale. Ndërsa sa i përket Veliajt, ai vuri në dukje rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit.

Zyrtari europian iu referua gjithashtu raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, në të cilin ngrihet shqetësimi për praktikën e paraburgimit të zgjatur të kryetarëve të bashkive.

Takimi i Komitetit Konsultativ CoR-Shqipëri u zhvillua për herë të parë në Elbasan dhe mori një rëndësi të veçantë edhe për shkak të angazhimit të qytetit në politikat europiane për klimën.

Elbasani është qyteti i parë në Shqipëri që iu bashkua zyrtarisht konsorciumit që zbaton Misionin e Bashkimit Europian “100+12 Qytetet Klimatikisht Neutrale dhe Inteligjente deri në vitin 2030”.

Në fokus të konferencës ishte edhe roli që kanë bashkitë në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Pjesëmarrësit theksuan se integrimi nuk ndërtohet vetëm në nivel qendror, por edhe në qytete, përmes institucioneve vendore të forta, transparente dhe profesionale, të afta për të ofruar shërbime cilësore dhe për ta sjellë procesin europian më pranë qytetarëve.