Ballina Lifestyle Shpenzoi 10 mijë euro për të dekoruar shtëpinë për Halloween, por përfundon...

Shpenzoi 10 mijë euro për të dekoruar shtëpinë për Halloween, por përfundon në konflikt me bashkinë

48
0

Një nënë e pesë fëmijëve në Holandë ka përfunduar në konflikt me autoritetet lokale, pasi shpenzoi rreth 10 mijë euro dhe dy muaj punë për të dekoruar shtëpinë e saj me rastin e Halloween-it. Esmeralda Melgert, banore e qytetit Breda, është urdhëruar nga bashkia të heqë një pjesë të dekorimeve, pasi sipas autoriteteve ka zënë hapësirën publike pa marrë lejen përkatëse.

Kërkesa i është dërguar me letër zyrtare, ku përcaktohej se elementet e dekorit që ndodheshin në hapësirën publike duhej të hiqeshin deri të martën, më 27 tetor, në mesditë. Në rast të kundërt, shërbimet bashkiake do të ndërhynin për t’i larguar, ndërsa shpenzimet do t’i ngarkoheshin vetë pronares.

Situata ka shkaktuar zhgënjim të madh te Melgert dhe familja e saj, veçanërisht pasi dekorimet ishin përgatitur për t’u shijuar nga banorët e lagjes gjatë festës së Halloween-it, e planifikuar për 30 tetor.

Megjithatë, gruaja nuk është dakord me vendimin e bashkisë. Ajo pretendon se dekorimet nuk pengojnë kalimin e këmbësorëve dhe se trotuari mbetet i përdorshëm. Madje, sipas saj, disa punonjës të autoriteteve lokale kishin vizituar më parë ambientin dhe kishin shprehur interes për instalacionet e saj.

“Ne nuk e kuptojmë pse bashkia po reagon në këtë mënyrë. Kjo është thjesht një formë intimidimi”, është shprehur ajo për mediat holandeze. Melgert këmbëngul se dekorimet nuk përbëjnë asnjë rrezik të veçantë për kalimtarët dhe nuk pengojnë qarkullimin në trotuar.

Për familjen, kjo situatë është veçanërisht e hidhur, pasi kanë investuar shumë kohë, energji dhe para për të krijuar një atmosferë festive për të gjithë lagjen. Tashmë, një pjesë e projektit të tyre të Halloween-it rrezikon të hiqet me detyrim nga autoritetet lokale.