Autoritetet greke kanë zbardhur vrasjen e ndodhur më 24 korrik 2026 në lagjen Galaci të Athinës, duke arrestuar si autor të dyshuar shtetasin shqiptar Ilian Kola, 48 vjeç. Sipas policisë greke, 48-vjeçari kishte njohje të mëparshme me viktimën dhe e vizitonte herë pas here në banesën e tij, ku kryente punë dhe shërbime të ndryshme kundrejt shumave të vogla të parave.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se motivi i krimit ka qenë grabitja. Viktima, sipas informacioneve të raportuara, kishte gjendje të mirë ekonomike, ndërsa pas ngjarjes në banesën e tij u konstatua mungesa e parave dhe sendeve me vlerë.
Hetuesit grekë kanë arritur të sigurojnë prova që lidhin të dyshuarin me vendin e ngjarjes. Në banesën ku ndodhi krimi janë gjetur gjurmë gishtash dhe material biologjik që, sipas policisë, i përkasin 48-vjeçarit shqiptar. Gjatë marrjes në pyetje, Ilian Kola ka deklaruar se nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur ditën e ngjarjes, duke pretenduar se në atë moment ndodhej nën efektin e lëndëve narkotike.
Sipas burimeve policore, shqiptari rezulton me precedentë të shumtë penalë. Që prej vitit 2019, ai është ndaluar mbi 20 herë nga autoritetet greke për përfshirje të dyshuar në vjedhje dhe vepra të tjera penale, të lidhura kryesisht me sigurimin e parave për blerjen e lëndëve narkotike.
Pas arrestimit, 48-vjeçari është paraqitur përpara gjykatës, e cila ka vendosur masën e paraburgimit, duke urdhëruar që ai të qëndrojë në burg deri në gjykimin e çështjes.







