Ballina Kosovë AAK denoncon në Polici kërcënimet me vrasje ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt...

AAK denoncon në Polici kërcënimet me vrasje ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt në Facebook

49
0

Aleanca ka denoncuar kërcënimet me vrasje ndaj  deputetit, Ramush  Haradinaj dhe anëtarit të paritsë, Daut Haradinajt përmes profileve të rreme në Facebook.

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka deklaruar se dhjetëra llogari të rreme po shpërndajnë shpifje dhe informacione të pavërteta, duke pretenduar se kjo fushatë ka përshkallëzuar në kërcënime të drejtpërdrejta me jetë.

Sipas tij, një profil me emrin “Besmir Kelmendi”, që përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe prezantohet si “Avni Rrustemi 2.0”, gjatë dy ditëve të fundit ka publikuar thirrje për vrasjen e Ramush dhe Daut Haradinajt.

“Ky profil po tenton të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, ka deklaruar Xhemaili.

Ai ka bërë të ditur se Aleanca ka dorëzuar në Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë të dhënat dhe provat që, sipas tij, lidhen me këto profile.

“Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, ka thënë ai.

Xhemaili ka kritikuar edhe disa deputetë të partisë në pushtet, duke pretenduar se deklaratat e tyre po i japin mbështetje fushatës së kërcënimeve në rrjetet sociale.

Sipas tij, kjo është përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga përgjegjësia e institucioneve për mosparandalimin e rastit tragjik në Pejë.

“Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë”, ka përfunduar Xhemaili.