Ballina Rajoni Serbia i heq licencën ALTA Banka-s së Davor Macurës, biznesmenit të përfolur...

Serbia i heq licencën ALTA Banka-s së Davor Macurës, biznesmenit të përfolur për pastrimin e parave të Vuçiç

70
0

Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë një vendim drastik këtë të shtunë, 31 tetor, duke i hequr licencën ALTA Banka-s, institucionit financiar të kontrolluar nga grupi i biznesmenit Davor Macura, emri i të cilit është përmendur vazhdimisht nga opozita serbe për lidhje të dyshuara financiare me rrethin e Aleksandar dhe Andrej Vuçiçit.

Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga Banka Kombëtare e Serbisë (NBS), e cila njoftoi se gjendja financiare e ALTA Banka-s ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke rrezikuar interesat e depozituesve.

Sipas njoftimit, institucionit bankar i ishin bërë më parë kontrolle dhe i ishin kërkuar masa për përmirësimin e likuiditetit. Megjithatë, autoritetet konstatuan se ekzistonte rreziku i një përkeqësimi të mëtejshëm financiar.

Pas heqjes së licencës, Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të marrë administrimin e procedurave të falimentimit, sipas vendimit përkatës gjyqësor.

Depozitat janë të siguruara deri në 50 mijë euro për depozitues, ndërsa autoritetet kanë njoftuar procedurat për kthimin e shumave të garantuara.

Davor Macura, 43 vjeç, e nisi aktivitetin e tij në vitin 2008, kur hapi një zyrë këmbimi valutor në Zemun, periferi e Beogradit.

Në vitin 2014, biznesi i tij u shndërrua në shoqëri tregtare, ndërsa në vitin 2016 kompania ALTA Pay mori licencën për të ofruar shërbime pagesash.

Zgjerimi më i madh erdhi në vitin 2019, kur grupi i Macurës bleu një paketë aksionesh të JUBMES Banka-s, duke u bërë aksioneri kryesor. Në mars 2020, banka mori emrin ALTA Banka.

Brenda pak vitesh, Macura e zgjeroi aktivitetin në sektorin bankar, shërbimet e pagesave, pasuritë e paluajtshme dhe tregti.

Rritja e shpejtë e perandorisë së tij të biznesit është shoqëruar me akuza nga opozita serbe për marrëdhënie të privilegjuara me njerëz pranë pushtetit.

Në dhjetor 2025, deputetja opozitare Marinika Tepić e akuzoi publikisht Macurën se shërbente si mbulesë për operacionet financiare të Aleksandar dhe Andrej Vuçiçit.

Tepić pretendoi se pasurimi i tij dhe kalimi nga një zyrë këmbimi në kontrollin e një banke nuk mund të shpjegoheshin pa mbështetje politike.

Më 29 tetor 2026, gazeta malazeze Vijesti publikoi një investigim mbi lidhjet e pretenduara të biznesit të Macurës me persona pranë rrethit politik të Vuçiçit. Investigimi përmendte dyshime të mbështetura në informacione jozyrtare të sigurisë, por jo prova përfundimtare se Macura administronte financat e familjes Vuçiç.

Heqja e licencës vjen pas disa ditësh polemikash në Serbi për transferta të dyshuara të shumave të mëdha të parave jashtë vendit.

Avokati serb Ivan Ninić kërkoi kontroll të jashtëzakonshëm të ALTA Banka-s, duke pretenduar se kishte informacione për një proces të përshpejtuar transferimi fondesh drejt llogarive jashtë Serbisë.

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës ngritën dyshime për konvertimin e një shume prej rreth 50 milionë eurosh dhe transferimin e saj jashtë vendit.

Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar më parë se transfertat bankare kryheshin përmes kanaleve të rregullta dhe në përputhje me ligjin. Edhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut i cilësuan të paverifikuara pretendimet për transferta të dyshimta drejt territorit të tyre.

Për momentin, pyetja që mbetet e hapur është nëse kontrollet dhe procedurat pas heqjes së licencës do të zbulojnë vetëm probleme të likuiditetit, apo edhe shkelje të tjera në administrimin e bankës.

Vendimi i 31 tetorit shënon fundin e aktivitetit bankar të ALTA Banka-s me licencën ekzistuese, ndërsa hetimi i pretendimeve për lidhjet politike dhe transfertat financiare mbetet një çështje më vete.