Ballina Sport Elbasani përmbys Laçin në shtëpi, polemika për golin e anuluar në shtesë

Elbasani përmbys Laçin në shtëpi, polemika për golin e anuluar në shtesë

59
0

Skuadra e Elbasanit ka regjistruar një fitore të rëndësishme me përmbysje 2-1 përballë Laçit, në duelin e vlefshëm për javën e 10-të në Superiore.

Takimi nisi me vështirësi për verdheblutë, pasi kurbinasit kaluan të parët në avantazh që në minutën e 8-të me anë të Traore, i cili shënoi me një gjuajtje të fortë brenda zonës.

Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm dhe vetëm katër minuta më vonë rikthyen baraspeshën me anë të Mazarit, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë pas një faulli të shkaktuar nga portieri Biba ndaj Nikajt.

Pjesa e dytë ishte një betejë e hapur me raste nga të dyja anët, përfshirë një traversë nga Bibo për miqtë, por goli i fitores erdhi në minutën e 67-të për Elbasanin falë sërish Mazarit, i cili shfrytëzoi një top të rikuperuar dhe të asistuar nga Diallo.

Minutat shtesë sollën dramë dhe polemika të mëdha, pasi Traore dërgoi topin në rrjetë për Laçin, por gjyqtari Yzeiraj e kishte ndalur lojën më herët për një faull të paqartë në sulm.

Pavarësisht protestave të ashpra nga kampi mik, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Elbasani siguroi tre pikët e plota.

Me këtë fitore, verdheblutë ngjiten në vendin e katërt të klasifikimit me 14 pikë, ndërsa Laçi i Qatip Osmanit mbetet në vendin e gjashtë me 11 pikë të grumbulluara.