Nga Ilir Muharremi
Munch tha se e pa qiellin të skuqej si gjak dhe e ndjeu natyrën të kalonte nga një klithmë e pafund. Ndaloi në urë, i dridhur, dhe e pikturoi. Figura në “Klithma” nuk bërtet. Ajo i mbyll veshët me duar që të mos e dëgjojë tmerrin. Pas saj, dy njerëz vazhdojnë të ecin.
Arlinda Zekaj nuk i mbylli veshët. Ajo bërtiti, por në heshtje, me dorë të kujdesshme, shkronjë pas shkronje, sepse ashtu mësohet të bërtasë një grua që ka frikë se zëri i saj do ta rrezikojë edhe më shumë.
Më 7 shtator, në orën 14:42, ulur diku me një fëmijë në mendje dhe një frikë në gjoks, ajo i shkroi një gjyqtareje. Kërkoi pak minuta. Vetëm pak minuta nga koha e dikujt tjetër për të shpëtuar jetën e saj. Dhe shkroi fjalinë që do të na ndjekë gjatë: “Për ju është rutinë, për mua është jetë.”
Letra mori një vulë. Mbeti në një tavolinë, nën një tjetër letër, nën një tjetër dosje.
Më 22 tetor shkroi përsëri. Këtë herë nuk lutej më. Po ndante me botën atë që e dinte: se do ta vrisnin. Shkroi se uron të mos vijë dita kur institucionet do të japin llogari vetëm pasi t’i jetë marrë jeta. Shkroi numrin e telefonit. Shkroi edhe emrin e saj, plot, që ta dinin kë po e humbasin. Në fund, vizatoi një fytyrë të lodhur, me një pikë djerse, sikur të kërkonte falje që po na shqetëson.
Një grua që kërkon falje duke kërkuar të mbetet gjallë.
Një javë më parë, në Vitomiricë, qielli u skuq. Arlinda nuk ishte më. kunati i saj e vrau. Dhe ajo që kishte shkruar me të dridhur u bë e vërtetë, saktësisht ashtu siç e kishte paralajmëruar.
Diku një fëmijë po e kërkon nënën. Nuk e di që nëna e tij e kishte parë fundin, e kishte shkruar, e kishte dorëzuar, dhe kishte pritur. Nuk e di që për nënën e tij njerëzit kishin kohë për vula, por jo për ta dëgjuar.
Munch e pikturoi klithmën që e ndjeu. Arlinda e shkroi klithmën që e jetoi. Dhe ne, si dy siluetat në urë, e lexuam shumë vonë.
Tani letrat e saj janë në duart tona. Nuk janë më kërkesa. Janë testament. Dhe çdo fjalë e tyre pyet: sa gra duhet të shkruajnë me dorë të dridhur përpara se dikush të ndalojë?
Prehu në paqe, Arlinda. Qielli yt u skuq, dhe ne s’e pamë.







