Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë shënoi 44-vjetorin e inaugurimit. I hapur më 1 nëntor 1982, muzeu mbetet një simbol i historisë, krenarisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ndërtesa e muzeut është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle Mesjetare Shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit.
Muzeu hapet me një grup skulpturor që paraqet Gjergj Kastriotin në mes të popullit. Këtu, figurat e luftëtarëve nuk janë të emërtuara, por veshjet e tyre tregojnë qartë pjesëmarrjen e të gjitha krahinave në luftën për mbrojtjen e vendit. Ky grup skulpturor u realizua nga skulptorët Janaq Paço dhe Genc Hajdari. Në këtë muze numërohen disa pavione. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj. Ndërtesa e muzeut ka karakterin e një memoriali. Në zgjidhjen e jashtme arkitektonike shquhen dy vëllime kryesore: pjesa e shtrirë horizontale me sallat e mëdha kryesore dhe pjesa me theksim vertikal, e trajtuar vizualisht si kullat e shqiptarëve të veriut të vendit.
Hapësirat e brendshme janë zgjidhur në mënyrë që mjediset të ndërthuren, duke krijuar një hapësirë të vetme e të pandërprerë, ashtu siç është edhe thelbi i historisë së trajtuar në këtë muze. Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë renditet ndër muzetë më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke mbetur një nga destinacionet kryesore për njohjen dhe ruajtjen e historisë dhe trashëgimisë sonë kombëtare.







