Nga Isuf B.Bajrami
…mbi palcën e qenies, kujtesën dhe përjetësinë
Po bie shi mbi trupin tim të lodhur,
Si mbi një lis, në vetmi të ngelur,
Që rrufetë e Zeusit e kanë goditur,
Por rrënjën në palcë të dheut s’ia kanë shkëputur.
Në palcën e kockës fle një histori,
E gdhendur nga koha me plagë e kujtime,
Në rrënjën e tokës pulson e njëjta jetë,
Që lind nga dhimbja dhe çel në agime.
Në trupin tim shtrihet një hartë e lashtë,
Me lumenj në damarë e me male në eshtra,
Me dete që vlojnë në thellësi të gjakut,
E horizonte të mbyllura pas mureve të heshtjes.
Po bie shi…
Mbi mishin e çarë nga rrufetë e moteve,
Mbi kockën e krisur në thellësi të palcës,
Aty ku as drita nuk depërton pa dhimbje,
Ku heshtja ruan gjurmët e dhunës së natës.
Dikur muret ma matën frymën me gurë,
E nata ma numëronte rrahjen e zemrës,
Por unë në errësirë ruaja një agim,
Që asnjë mur s’mund ta burgoste në thellësi të qenies.
Zeusi mbi mua lëshonte rrufetë e qiellit,
Atlasi më mësonte peshën e ekzistencës,
Prometeu në palcë ma ruante zjarrin,
E Odiseu më printe në udhët e qëndresës.
Si Atlasi, mbi supe mbaj barrën e kohës,
Si Prometeu, në shpirt ruaj zjarrin e lirisë,
Si Odiseu, lundroj nëpër dete të pafundme,
Drejt Itakës së mallit, të rrënjëve e dashurisë.
Po bie shi…
Dallgët e kohës përplasen mbi mua,
Furtunat tronditin shkëmbinj e male,
Por rrënjët e mia, thellë në tokë,
Ruajnë kujtesën e brezave të gjallë.
Mali më njeh, se prej tij kam qëndresën,
Lumi më njeh, se në gjak kam rrjedhën,
Deti më njeh, se në shpirt kam thellësinë,
E qielli më njeh, se me të ndaj pafundësinë.
Në trupin tim, si në hartën e dheut,
Ka vija që koha i vizatoi me dhunë,
Ka pjesë që i ndan largësia e kufirit,
Por rrënjët e tyre pinë nga i njëjti lumë.
Nuk ndahet mishi nga kujtesa e trupit,
As rrënja nuk harron prejardhjen e vet,
Se çfarë ndan dora në hartën e kohës,
E bashkon shpirti në përjetësinë e vet.
Nuk jam vetëm unë që përballem me shiun,
Në mua kalojnë shumë breza e mote,
Jam një degë e një pylli të lashtë,
Që ende kërkon pranverë për këto troje.
Po bie shi…
E shiu depërton në plagët e vjetra,
Por nuk i shuan dot gjurmët e kujtesës,
Se disa dhimbje nuk kërkojnë mëshirë,
Por vetëm të mos humbasin në harresë.
Jam lis i vetmuar, por jo pa rrënjë,
Me degë të përkulura, me ballin në hënë,
Erërat më shkundin, furtunat më ndjekin,
Por rrënjët e mia në thellësi më mbajnë.
E dashuria…
Ajo nuk njeh kufij të kohës,
As largësi malesh, as thellësi detesh,
Ajo është fara që çan zemrën e gurit,
Është rrënja që lidh njeriun me dheun.
Është shiu që prek trupin e lodhur,
Është dielli që zgjon farën në tokë,
Është fryma e shenjtë në thellësi të qenies,
Që i jep shpirtit dritë kur gjithçka hesht.
Njeriu është natyrë që mësoi të ndiejë,
Natyra është heshtje që mësoi të flasë,
E dashuria është ura mes të dyjave,
Që i jep kuptim jetës edhe kur ajo dhemb.
Në çdo grimcë të trupit më flet një univers,
Në çdo grimcë të dheut më flet një jetë,
Ndoshta jemi pluhur i yjeve të lashtë,
Që për një çast mësuam të quhemi dashuri.
Po bie shi…
Mbi trojet ku historia ka lënë gjurmë,
Mbi gurët që ruajnë emra e kujtime,
Mbi lisat që panë perandori të shuhen,
E mbi rrënjët që mbetën gjallë ndër stuhitë.
Në këtë tokë, ku brezat u bënë kujtesë,
Ku guri mësoi të flasë me heshtjen,
Ku gjaku u bë dëshmi e ekzistencës,
Liria u rrit në palcën e dheut, si shpresë.
Se liria nuk është veç një fjalë,
As një flamur që valëvitet në erë,
Është fryma që kalon nga brezi në brez,
Është rrënja që mbetet kur trupi bëhet dhe.
Kur të pushojnë dallgët e shekujve,
Kur Zeusi të heshtë mbi kupolën qiellore,
Kur Atlasi ta lëshojë barrën e botës,
E Prometeu të ndezë zjarrin e agimit të ri,
Unë, si Odiseu, do të kërkoj Itakën,
Jo për t’u kthyer aty ku dikur kam qenë,
Por për të gjetur atë që koha s’ma mori:
Rrënjën, kujtesën dhe shpirtin që më mban.
Po bie shi…
Por shpirti im nuk përkulet nga stuhia,
As nuk e shuan shpresën errësira,
Se mund të copëtohet trupi në shumë horizonte,
Por jo një shpirt që i ka rrënjët në liri.
E kur të pushojë shiu mbi këtë lis,
Kur degët të lahen nga lotët e motit,
Ndoshta do ta kuptojmë të vërtetën e jetës:
Se edhe dhimbja mund të bëhet burim i dashurisë.
Ndoshta nuk është qielli ai që qan,
Por njeriu që s’di ta shprehë atë që ndien,
Ndoshta toka nuk pret vetëm pranverën,
Por dashurinë që në çdo plagë mbin.
Se unë jam toka, jam deti, jam mali,
Jam rrënja që mbijeton nëpër shekuj,
Jam njeriu që kërkon kuptimin e jetës,
Jam dashuria që sfidon edhe vdekjen.
PO BIE SHI…
Shiu edhe mund të pushojë,
Stuhitë mund të largohen,
Por ajo që njeriu shkruan me palcën e shpirtit nuk thahet …
DHE UNË ENDE QËNDROJ!







