Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, bëri sot publike listën me futbollistët e grumbulluar për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, të cilat do të përcaktojnë edhe renditjen përfundimtare në Grupin C1.
Por jashtë listës kanë mbetur shumë emra, të cilët në të kaluarën kanë qenë pjesë e kuqezinjve. Jashtë janë, për shembull Strakosha, Broja e Berisha, të cilët janë të dëmtuar. Ndërsa lista e atyre që nuk preferohen nga trajneri si zgjedhje teknike është shumë më e gjatë.
Në portë janë Kastrati e Simoni, pa harruar këtu Lilon, i cili po shkëlqen në Greqi me OFI-n e Kretës. Në mbrojtje, Kumbulla, Hadroj e Pllana mbeten jashtë, me Balliun që tashmë i ka dhënë lamtumirën përfundimisht kuqezinjve.
Në mesfushë, lista është edhe më interesante me emra si Mehmeti e Bajrami, apo edhe Kërjota, i cili u ftua nga trajneri në grumbullimin e kaluar dhe u la në mënyrë të pakuptimtë në tribunë në katër ndeshje.
Në sulm, dy emrat që bien në sy janë Jasir Asani dhe Indrit Tuci, lojtarë të cilët po kalojnë një formë të mirë me klubet përkatëse, por thjesht nuk janë preferuar nga trajneri.
Sigurisht, tekniku mund të kishte pasur një vëmendje më të madhe ndaj emrave të rinj që po shpërthejnë në skenat e rëndësishme. Fakti që Arman Durmishi grumbullohet rregullisht nga Juventusi, apo Gabriel Kulla po aktivizohet me Sasuolon në Serinë A, ndoshta duhej ta kishte shtyrë trajnerin të mendonte edhe për afirmimin e ndonjërit prej tyre në këtë grumbullim.







