Ballina Kuriozitete 10 qytetet mesjetare më magjepsëse të Europës

10 qytetet mesjetare më magjepsëse të Europës

32
0

Europa është plot me qytete që të japin ndjesinë sikur ke hyrë në një përrallë. Rrugicat me kalldrëm, kullat prej guri, shtëpitë me trarë druri dhe ndërtesat historike krijojnë një atmosferë të veçantë, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur turmat e turistëve pakësohen. Ndërsa tregjet e Krishtlindjeve i shtojnë peizazhit dritat, ngjyrat dhe gjallërinë festive. Ja dhjetë nga qytetet më të bukura mesjetare të Europës.

1. Rothenburg ob der Tauber, Gjermani

Image

Ky qytet bavarez konsiderohet ndër më përrallorët në Europë. Rrugët me kalldrëm, kullat prej guri dhe shtëpitë tradicionale prej druri krijojnë një pamje të veçantë. Një nga simbolet e tij është shtëpia e verdhë Plönlein, ndër vendet më të fotografuara në Gjermani. Vizitorët mund të marrin pjesë në ture nate për të dëgjuar histori dhe legjenda nga e kaluara mesjetare.

2. Toruń, Poloni

Image

Qyteti ka ruajtur qendrën e tij gotike me tulla të kuqe, e cila është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Aty gjenden rrënojat e një kështjelle teutonike, mure mbrojtëse dhe kulla e famshme e pjerrët. Toruń është gjithashtu vendlindja e astronomit Nikolla Koperniku dhe e bukës tradicionale me xhenxhefil, e prodhuar që prej shekullit XIV.

3. Mdina, Maltë

Image

Dikur kryeqyteti i Maltës, Mdina ka histori që shtrihet rreth 4000 vjet pas në kohë. Muret rrethuese, rrugicat e ngushta, pallatet me ngjyrë mjalti dhe oborret e fshehura i japin qytetit një atmosferë mesjetare. Ndër vendet që vlejnë të vizitohen janë Palazzo Falson, një ndërtesë e shekullit XIII e kthyer në muze, dhe birucat e vjetra.

4. Porvoo, Finlandë

Image

Vetëm një orë larg Helsinkit, Porvoo është një nga qytetet më të vjetra finlandeze. Shtëpitë prej druri me ngjyra pastel, katedralja gotike dhe dyqanet e vogla krijojnë një atmosferë të këndshme. Qyteti njihet edhe për gastronominë dhe ëmbëlsirën tradicionale Runeberg, të emërtuar sipas poetit kombëtar finlandez.

5. Óbidos, Portugali

Image

Ky qytet kodrinor njihet si “Qyteti i Dhuratës së Dasmës”. Në vitin 1282, mbreti Denis ia dhuroi Óbidos-in bashkëshortes së tij, mbretëreshës Isabel. Vizitorët mund të shëtisin përgjatë mureve mesjetare, të eksplorojnë rrugën Rua Direita me dyqanet dhe furrat tradicionale, si dhe të provojnë pijen vendase me qershi, ginjinha.

6. Colmar, Francë

Image

Edhe pse teknikisht është qytet dhe jo qytezë, Colmar është një nga destinacionet më përrallore të Europës. Shtëpitë shumëngjyrëshe me trarë druri, rrugët me kalldrëm dhe kanalet krijojnë një pamje magjike. Në periudhën e Krishtlindjeve, dekorimet festive dhe gjashtë tregjet karakteristike e bëjnë veçanërisht tërheqës.

7. Hall in Tirol, Austri

Image

Pranë Innsbruck-ut, ky qytet ka një nga qendrat mesjetare më të ruajtura të Austrisë. Ai u bë një qendër e rëndësishme e Perandorisë së Habsburgëve pasi në vitin 1477 aty u zhvendos punishja mbretërore e monedhave. Kështjella Hasegg dhe sheshi i vjetër me kishën gotike të Shën Nikollës janë ndër atraksionet kryesore.

8. Český Krumlov, Çeki

Image

I vendosur në fshatrat e Bohemisë, qyteti të kujton një Pragë në miniaturë. Qendrën historike me çatitë e kuqe e dominon një kështjellë e shekullit XIII, me kullë të pikturuar dhe teatër barok. Në dimër, tregu i Krishtlindjeve dhe tavernat tradicionale krijojnë një atmosferë veçanërisht të ngrohtë.

9. Trakai, Lituani

Image

I rrethuar nga liqene, Trakai është i famshëm për kështjellën gotike prej tullash të kuqe, të ndërtuar në shekullin XIV mbi një ishull. Ajo lidhet me qytetin përmes një ure të gjatë prej druri. Në qendrën historike gjenden edhe shtëpitë karakteristike të komunitetit karaim, të ardhur nga Krimea rreth 600 vjet më parë. Vizitorët mund të provojnë gatimin tradicional të tyre, kibinai.

10. Vejer de la Frontera, Spanjë

Image

Ky qytet andaluzian ndërthur trashëgiminë maure me arkitekturën mesjetare të krishterë. Shtëpitë e bardha, portat prej guri dhe sheshet me palma ndodhen brenda mureve mbrojtëse të shekullit XV. Përveç shëtitjeve në rrugicat e ngushta, vizitorët mund të shijojnë kuzhinën vendase, të provojnë sheri dhe të marrin pjesë në kurse gatimi spanjoll.