Situata para Ministrisë së Arsimit është tensionuar, pasi efektivët e policisë kanë përdorur autobotin me ujë me presion në drejtim të protestuesve. Përshkallëzimi i situatës erdhi pasi një grup të rinjsh sulmuan me gurë efektivët e policisë, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën fillimisht me spërkatës me piper dhe më pas me autobotin me ujë.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët nuk kanë kursyer as reporterët e mediave vendase dhe të huaja, të cilët po raportojnë nga protesta. Ajo që bie në sy sot është prania e lartë e fotoreporterëve dhe gazetarëve të mediave ndërkombëtare, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet para Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohë, gazetari Fatjon Gjinaj, gjatë raportimit ka ngritur një shqetësim për infiltrimin e punonjësve të AMP-së, jo për të mbikëqyrur sjelljet e policisë, por për t’iu bashkuar kësaj të fundit në dhunimin e studentëve. Ndërkohë, thekson ai, vetë prokurorët që do të duhej të ishin në terren nuk shihen gjëkundi.
“Mund të bëjmë një panoramë shumë të qartë për atë që ka ndodhur dhe sa i përket organeve të zbatimit të ligjit. Kjo protestë ka qenë një nga protestat më të mbikëqyrura, jo vetëm nga syri i qytetarëve, por edhe i dhjetëra e qindra kamerave shqiptare, mediave ndërkombëtare, por edhe kamerave të instaluara për sisteme sigurie. Dhe pothuajse çdo veprim është i dokumentueshëm, që tregon përdorimin në mënyrë joproporcionale të forcës nga policia. Duke filluar edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që nuk dua ta besoj, edhe duke qenë se nuk kemi prova konkrete, por ka pasur shumë denoncime që thonë se është përfshirë edhe vetë në protestë për t’u bërë krah në dhunimin e studentëve”, tha Gjinaj.







