Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, propozoi krijimin e një koalicioni qytetar-politik, të thirrur nga studentët, pedagogët dhe protestuesit, si dhe daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale.
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane, Mediu vlerësoi protestën e të rinjve si shpresë për ndryshimin e vendit dhe kërkoi bashkimin e forcave politike dhe qytetare në një koalicion që nuk thirret nga partitë politike, por nga vetë përfaqësuesit e protestës.
“Ndërtimi i një koalicioni qytetar politik të thirrur nga protestuesit, studentët, pedagogët, pa asnjë përjashtim politik, si një front i qartë kundër korrupsionit, dhunës, pabarazisë dhe qeverisë së Edi Ramës dhe me një qëllim thelbësor, zgjedhje të lira dhe të ndershme.
E para, dorëheqjen e Edi Ramës si një zgjidhje politike e domosdoshme për të rikthyer besimin tek shoqëria shqiptare që ne mund ta ndryshojmë këtë vend.
E dyta, krijimin e një qeverie të re kujdestare me një mandat të qartë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke e vendosur atë si një detyrim kushtetues përpara çdo zgjedhje parlamentare.
E treta, një reformë zgjedhore, e cila garanton që parlamenti dhe deputetët të jenë të përfaqësuar sipas votës së lirë dhe garës së ndershme me lista të hapura.
E katerta: Reforme teritoriale e cila garanton autonominë lokale dhe qeverisjen në gjithë territorin e vendit
E pesta: Limitimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate.
E gjashta: Daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale të dalë nga kualicioni qytetar-politik sipas kritereve dhe procedurave të vendosura nga ky kualicion”, u shpreh Mediu në Asamblenë Kombëtare të PR-së.
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme lokale, Fatmir Mediu propozoi daljen me një kandidat të vetëm për çdo bashki, të mbështetur nga të gjithë faktorët opozitarë.
“Meqenëse jemi para zgjedhjeve lokale, nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’i bërë sfidën e parë pushtetit të krimit dhe të korrupsionit të Edi Ramës, përveç daljes me kandidatë të përbashkët dhe mendoj që nëpërmjet sondazheve, duke i dhënë mundësi të propozojë kushdo, Fronti Rinor, partitë politike të opozitës, kandidatura dhe kush del që mbështetet më shumë nga sondazhet popullore, të cilat organizohen nga grupe profesionistësh apo institute të njohura, ne të përcaktojmë një kandidat, një ekip dhe ta mbështesim të gjithë politikisht dhe gjithë shoqëria shqiptare”, u shpreh Fatmir Mediu në Asamblenë e PR-së.
Pjesë nga fjala e Kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Republikane
Shpresa jonë është protesta e të rinjve.
Është gjëja më e bukur që ka parë në këto vite Shqipëria dhe dua të falënderoj të gjithë anëtarët e kryesisë së Partisë Republikane, aktivistët e Partisë Republikane që janë bërë pjesë e kësaj proteste, jo për t’u dukur në atë protestë, por për të qenë një zë qytetar dhe politik bashkë me studentët kundër një qeverisjeje të korruptuar dhe të inkriminuar.
Jetojmë sot në kushtet e një regjimi jo thjesht autokratik, por të një regjimi të narkotrafikut, ku paraja, korrupsioni dhe krimi dominojnë jetën tonë të përditshme.
Korrupsion çdo javë, një skandal i ri.
Krimi është evident në çdo skaj të Shqipërisë, me peshë në vendimmarrje, me forcë për të vendosur se kush duhet të jenë deputetët, i lidhur me qeverinë dhe me kryeministrin, duke mos lejuar asnjë hapësirë për liri ekonomike, për liri për të zgjedhur dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë evropiane.
Fatkeqësisht, në gjithë këto vite kemi shpopullim masiv të Shqipërisë, ku rreth 47% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Kjo është një plagë e madhe sociale, politike dhe ekonomike, me kosto jashtëzakonisht të mëdha.
Po ju përmend një fakt. Sot kemi më pak lindje sesa ç’kemi pasur njëqind vite më parë, kur Shqipëria ka pasur vetëm një milion banorë. Kjo është shenja e qartë e një shoqërie që plaket, e një shoqërie pa vitalitet dhe me probleme të mëdha për të ardhmen.
Ne, si Parti Republikane, atë pjesë të programit tonë dhe qëllimet tona, t’i bëjmë pjesë të diskutimit me njerëzit, por edhe të vendimmarrjes së opozitës: familjen, pronën, kombin, të cilat janë padyshim vlerat më të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Duhet të flasim hapur që e djathta nuk mund të zhvillohet pa konkurrim, pa lista të hapura. Nuk mundet që marrëveshjet politike apo vendimet e kryetarëve të vendosin se kush duhet të jetë në Parlament apo kush duhet të jetë në qeveri.
Dhe duhet, mbi të gjitha, në këtë moment që jemi, dhe ky është propozimi i parë, që ne të kërkojmë të krijohet një koalicion qytetar-politik, jo i thirrur nga partitë politike.
Ndërtimi i një koalicioni qytetar-politik, të thirrur nga protestuesit, studentët, pedagogët, pa asnjë përjashtim politik, si një front i qartë kundër korrupsionit, dhunës, pabarazisë dhe qeverisë së Edi Ramës dhe me një qëllim thelbësor: zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Dhe si Parti Republikane nuk mund të shtojmë asgjë më shumë sesa ajo që kanë thënë fort shqiptarët në çdo moment nëpërmjet zërit të protestës, studentëve dhe pedagogëve.
E para, dorëheqjen e Edi Ramës si një zgjidhje politike të domosdoshme për të rikthyer besimin te shoqëria shqiptare se ne mund ta ndryshojmë këtë vend.
E dyta, krijimin e një qeverie të re kujdestare me një mandat të qartë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke e vendosur atë si një detyrim kushtetues përpara çdo zgjedhjeje parlamentare.
E treta, një reformë zgjedhore, e cila garanton që Parlamenti dhe deputetët të jenë të përfaqësuar sipas votës së lirë dhe garës së ndershme me lista të hapura.
Ne nuk mund të bëhemi fasadë e një komisioni të reformës zgjedhore për të vazhduar axhendën e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës. Ne nuk mund të diskutojmë reformën zgjedhore pa zgjidhur së pari dy elemente të rëndësishme, që duhet të jenë prioriteti i kësaj reforme zgjedhore.
E para, ndarja e shtetit nga krimi. E dyta, listat e hapura.
Pika katër është një reformë administrativo-territoriale, ku të rikthehet autonomia e pushtetit vendor përmes decentralizimit të kompetencave dhe burimeve financiare, duke shmangur manipulimin politik që bën Edi Rama.
Kufizimi në dy mandate i mandatit të kryeministrit me Kushtetutë. Më shumë se dy mandate, historia e ka provuar që kryeministrat tanë sillen sikur janë pronarë të qytetarëve dhe të shtetit.
Prandaj kufizimi në dy mandate, i cili është një rregull që funksionon në shumë vende me çdo lloj sistemi, mendoj që do të ishte një zgjidhje shumë e mirë
.Të përcjellim në Kuvend, me mirëkuptim, pikën e gjashtë, në bashkëpunim me përfaqësues të protestës, të gjitha ligjet që janë shqetësim i menjëhershëm sot.
Investimet strategjike, zonat e mbrojtura e të tjera me radhë, në mirëkuptim me ta, në bashkëpunim me ta, dhe kjo do të krijonte një harmoni dhe një marrëdhënie më të drejtë me ata që janë në protestë dhe me qëllimet e tyre.
Meqenëse jemi para zgjedhjeve lokale, nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’i bërë sfidën e parë pushtetit të krimit dhe të korrupsionit të Edi Ramës, përveç daljes me kandidatë të përbashkët. Dhe mendoj që, nëpërmjet sondazheve, duke i dhënë mundësi të propozojë kushdo, Fronti Rinor, partitë politike të opozitës, kandidatura, dhe kush del që mbështetet më shumë nga sondazhet popullore, të cilat organizohen nga grupe profesionistësh apo institute të njohura, ne të përcaktojmë një kandidat, një ekip dhe ta mbështesim të gjithë politikisht dhe e gjithë shoqëria shqiptare.







