Futbolli spanjoll vazhdon të jetë në zi pas vdekjes së sulmuesit Jesus de Miguel, i cili ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare, ndërsa pasojat e kësaj tragjedie po rëndojnë edhe mbi portierin e FC Andorrës, Jesus Owono.
Portieri 25-vjeçar raportohet se po kalon një periudhë të rëndë psikologjike pas incidentit tragjik dhe, sipas mediumit francez “Foot Mercato”, madje po mendon t’i japë fund karrierës së tij futbollistike.
Sipas raportimit, Owono po qëndron pjesën më të madhe të kohës në shtëpi, pranë familjes së tij, ndërsa po merr mbështetje psikologjike nga specialistët. Në përkrahje të tij janë edhe stafi teknik dhe administrativ i klubit, të cilët po përpiqen ta ndihmojnë në këtë periudhë të vështirë.
Ngjarja ka lënë gjurmë të thella te portieri, i cili ende nuk është i sigurt nëse mund të rikthehet në fushën e gjelbër. Një prej shqetësimeve të tij lidhet edhe me reagimet që mund ta presin nga tifozët në momentin e rikthimit në futboll.
Ndërkohë, futbolli spanjoll i ka kushtuar homazhe Jesus de Miguelit, me minuta heshtjeje para ndeshjeve në të gjitha nivelet e garave, në shenjë respekti për sulmuesin që u nda nga jeta në moshën 30-vjeçare.







