Ballina Politika Vjosa Hyseni “fiku radarët” për Ergysin, Liburn Aliu zgjati vetëm një vit...

Vjosa Hyseni “fiku radarët” për Ergysin, Liburn Aliu zgjati vetëm një vit në detyrë! Pse po i dështojnë Ramës “prurjet” nga Kosova

125
0

Edi Rama duket se po mbyll një tjetër kapitull të politikës së tij të afrimit të figurave nga Kosova. Liburn Aliu, ish-ministër në qeverinë e Albin Kurtit, ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, ku ishte emëruar pas largimit nga ekzekutivi kosovar.

Në vend të tij është emëruar Andrea Shllaku, deri tani zëvendësdrejtor i përgjithshëm i institucionit. Dorëheqja e Aliut vjen pa një shpjegim publik për arsyet e largimit.

Por përtej ndryshimit të drejtuesit të Portit të Durrësit, zhvillimi ka edhe një dimension politik.

Prej vitesh, marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit janë karakterizuar nga mosmarrëveshje dhe përplasje për çështje të rëndësishme rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe mënyrën e përfaqësimit të interesave shqiptare në rajon.

Në këtë klimë, Rama ka afruar në administratën shqiptare një sërë figurash me karrierë politike apo institucionale në Kosovë, duke u besuar poste të rëndësishme në qeveri dhe institucione strategjike. Kjo me arsyen e vetme për t’i bërë karshillëk Albin Kurtit.

Liburn Aliu është shembulli më i fundit. Një ish-ministër i qeverisë Kurti u vendos në krye të portit më të madh të Shqipërisë, një institucion me rëndësi të veçantë ekonomike dhe rajonale. Tashmë, ai largohet nga detyra dhe emërimi i tij mbetet një tjetër episod i shkurtër në administratën e Ramës.

Përpara tij, Besa Shahini u emërua ministre e Arsimit në Shqipëri, duke u bërë një prej figurave të njohura nga Kosova që morën përgjegjësi të larta në qeverinë shqiptare. Ajo u largua në vitin 2020.

Edhe Gent Cakaj, i ardhur nga Kosova, mori drejtimin e diplomacisë shqiptare si ministër në detyrë. Ai u promovua si një figurë e re e politikës së jashtme, por më pas u largua nga posti.

Një tjetër emër ishte Vlora Hyseni, e cila kishte shërbyer në strukturat e inteligjencës së Kosovës përpara se Rama ta emëronte në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri. Edhe drejtimi i saj në këtë institucion përfundoi me largim, teksa ajo ndodhet në arrest shtëpie.

Sigurisht, këto emërime nuk kanë ndodhur në të njëjtën kohë dhe as në të njëjtat rrethana politike. Por së bashku ato ngrenë një pyetje për mënyrën se si kryeministri shqiptar i ka përdorur emërimet e figurave nga Kosova thjesht për t’i bërë karshillëk Kurtit. Por rastet tregojnë se Rama i merr, i përdor dhe kur nuk i duhen më i largon.