Ballina Kulturë Ndahet nga jeta papritur Leander Veizi, koreografi shqiptar në Gjermani

Ndahet nga jeta papritur Leander Veizi, koreografi shqiptar në Gjermani

42
0

Koreografi dhe drejtuesi i përkohshëm i Kompanisë së Vallëzimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut, Leander Veizi, është gjetur i pajetë të hënën në banesën e tij në Regensburg të Gjermanisë. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga vetë Teatri Shtetëror i Regensburgut.

Veizi, me origjinë shqiptare, kishte kryer studimet e vallëzimit në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë dhe në ‘Scuola del Balletto di Toscana’ në Itali.

Gjatë karrierës së tij artistike, ai ishte angazhuar si balerin në disa institucione të njohura, mes tyre në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, në kompaninë ‘Gauthier Dance’ pranë Theaterhaus Stuttgart, në Baletin Vorpommern dhe në TanzTheaterMünster. Gjatë kësaj periudhe kishte bashkëpunuar me një sërë koreografësh të njohur dhe kishte interpretuar role të ndryshme kryesore.

Në vitin 2022, Leander Veizi iu bashkua Teatrit Shtetëror të Regensburgut si balerin, ku u angazhua gjithashtu në punën koreografike. Me nisjen e sezonit të ri artistik, ai mori përkohësisht drejtimin e Kompanisë së Vallëzimit.

Në një reagim zyrtar, Teatri Shtetëror i Regensburgut shprehet se lajmi për vdekjen e tij të papritur është pritur me tronditje të madhe.

‘Me trishtim të thellë kemi mësuar për ndarjen e papritur nga jeta të kolegut dhe mikut tonë, Leander Veizi. Vajtojmë humbjen e një miku dhe artisti frymëzues.

Mendimet tona janë pranë familjes së tij në Shqipëri, Itali dhe SHBA, partneres së tij dhe njerëzve më të afërt’, thuhet në deklaratën e teatrit.

Në Teatrin në Bismarckplatz është hapur një libër ngushëllimesh, ku qytetarët dhe admiruesit e artistit mund të shprehin mesazhet e tyre në nderim të kujtimit të tij.