Një aksident tragjik ajror ka tronditur Turqinë pasditen e kësaj të enjteje, 12 nëntor, ku katër ushtarë kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak të tipit S-70 në provincën e Malatyas, në pjesën lindore të vendit.
Helikopteri u rrëzua në zonën Samanköy, në rrethin Yeşilyurt, në rrethana që mbeten ende të paqarta. Menjëherë pas përplasjes me tokën, mjeti fluturues u përfshi nga flakët, duke shkaktuar një situatë emergjente dhe mobilizimin e forcave të shumta të shpëtimit.
Në vendngjarje mbërritën ambulancat, ekipet zjarrfikëse, efektivët e policisë dhe ushtrisë, si dhe specialistët e Agjencisë Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Zjarrfikësit ndërhynë për të neutralizuar flakët që kishin përfshirë helikopterin, ndërsa ekipet e emergjencës nisën operacionin për kontrollin e zonës dhe verifikimin e gjendjes së personave që ndodheshin në bord.
Megjithatë, përplasja rezultoi fatale për të katër ushtarakët, të cilët nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë konfirmoi zyrtarisht humbjen e jetëve, duke bërë të ditur se shkaku i aksidentit nuk është përcaktuar ende.
“Helikopteri ynë S-70 u rrëzua në Malatya për një arsye aktualisht të panjohur, duke rezultuar në vdekjen e katër kolegëve tanë në bord”, thuhet në deklaratën e ministrisë.







