Një 23-vjeçar është arrestuar në Mirditë, pasi akuzohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij ka plagosur rëndë me mjete të forta një 38-vjeçar në Rrëshen.
Policia bën me dije se ndalimi i të riut, me inicialet A. Gj., banues në Ndërfushaz, Rrëshen, u bë në kuadër të operacionit të koduar “Brothers”, të finalizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë.
23-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 27 tetor 2026, në Rrëshen, ku i riu, së bashku me vëllanë e tij 31-vjeçar, J. Gj., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta 38-vjeçarin E. Gj.







