Ballina Politika Socialistët nuk votojnë përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, Klosi zbulon drejtuesit e...

Socialistët nuk votojnë përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, Klosi zbulon drejtuesit e rinj politik në Tiranë: Elisa? Ende anëtare e Partisë Socialiste

51
0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje për vendimet e marra në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila përfundoi pas diskutimeve me dyer të mbyllura.

Në një prononcim për mediat, Klosi tha se mbledhja ishte pjesë e kalendarit të rregullt të Asamblesë dhe se fokusi kryesor ishte përgatitja për zgjedhjet e ardhshme. Ai bëri të ditur se PS do të hapë forumet e saj për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, ndërsa puna do të shtrihet në mënyrë të strukturuar në çdo qendër urbane dhe rurale.

Sipas Klosit, në këto forume do të evidentohen problematikat dhe çështjet që kërkojnë zgjidhje, me qëllim që propozimet e partisë të reflektohen në garën e ardhshme elektorale dhe në drejtimin e bashkive.

Klosi tha se Ogerta Manastirliu nuk do të largohet nga drejtimi politik i qarkut të Tiranës. Ndërkohë si bashkëdrejtues politik, për territorin e Bashkisë së Tiranës, vijnë Ervin Demo e Albana Koçiu. Ai theksoi se organizimi partiak do të mbetet i pandryshuar në strukturë, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin e bashkive. “Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë si në të gjithë bashkitë e vendit. Drejtimi i partisë së bashkisë së Tiranës do jetë nga Demo dhe Koçiu. Drejtimi politik do të vazhdojë nga Ogerta Manastirliu.”, tha Klosi.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e përjashtimit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste, Klosi nuk pranoi të komentonte, duke i cilësuar këto si çështje të brendshme të partisë. “Prandaj janë diskutime të brendshme. Vendimmarrja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i bashkisë sime’, miratimin e procesit për të vazhduar fushatën elektorale në çdo cep të territorit.”, u shpreh ai.