Ballina Aktualitet Pamje të rralla nga Shebeniku/ Rrëqebulli i Ballkanit dhe ariu i murrmë...

Pamje të rralla nga Shebeniku/ Rrëqebulli i Ballkanit dhe ariu i murrmë kapen nga kamerat kurth, zbulohen 7 specie të egra

26
0

Parku Kombëtar i Shebenikut vijon të dëshmojë pasurinë e tij të jashtëzakonshme natyrore. Kamerat kurth të vendosura nga specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Elbasan kanë dokumentuar praninë e shtatë specieve të faunës së egër në habitatin e tyre natyror, mes të cilave edhe rrëqebullin e Ballkanit, një nga gjitarët më të rrallë në botë, dhe ariun e murrmë.

Në pamjet e regjistruara gjatë monitorimit shfaqen gjithashtu kaprolli, sorkadhja, kunadhja, derri i egër dhe baldosa, duke dëshmuar biodiversitetin e pasur të kësaj zone të mbrojtur. Dokumentimi i këtyre specieve përbën një tregues të rëndësishëm për gjendjen e habitateve natyrore dhe praninë e një ekosistemi të pasur me jetë të egër, raporton gazetari Fatmir Popja.

overlay-cleverSipas të dhënave të monitorimit, është evidentuar edhe rritje e numrit të individëve të faunës së egër të regjistruar në park. Veçanërisht domethënëse është prania e rrëqebullit të Ballkanit, një specie e rrezikuar dhe me rëndësi të veçantë për biodiversitetin e rajonit, mbijetesa e së cilës lidhet ngushtë me ruajtjen e habitateve të mëdha pyjore.

Edhe ariu i murrmë, si një prej gjitarëve më të mëdhenj të ekosistemeve pyjore, është ndër speciet e dokumentuara nga kamerat kurth. Monitorimi i vazhdueshëm synon të njohë më mirë shpërndarjen dhe praninë e kafshëve të egra, si dhe të ndihmojë në mbrojtjen e tyre.

Pamjet e siguruara nga kamerat kurth sjellin kështu një tjetër dëshmi të vlerave të jashtëzakonshme natyrore të Parkut Kombëtar të Shebenikut, duke e renditur atë ndër zonat e rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri.