Ballina Ekonomia Informacionet që duhet të dini! 4000 kredi të buta për të rinjtë...

Informacionet që duhet të dini! 4000 kredi të buta për të rinjtë dhe familjet e reja! 100% kredi për shtëpi nëse s’ke kursime

31
0

Titulli pronar, po iu kushton gjithnjë e më shumë qytetarëve shqiptarë. Sot çmimi i apartamenteve po rritet disa herë më shpejt se pagat. Përballë vrullit të shtrenjtimit, qeveria vjen me ‘Programin e Strehimit’, me 7 mijë apartamente në ‘duart e qytetarëve’, përmes skemës së blerjes me kredi të butë dhe subvencionit të qirasë.

4 mijë familje do të marrin kredi të buta. Zero përqind interes për ata që blejnë apartament me vlerë deri 60 mijë euro, dhe do të ketë 3% interes për ata që blejnë një apartament mbi 60 mijë euro.

Një tjetër mbështetje është edhe kriteri i kolateralit. Afro 60% e apartamenteve blihen me kredi bankare, ku vlera e huasë mbulon mesatarisht 60-80% të vlerës së pronës, dhe pjesën tjetër duhet ta ketë kursim vetë qytetari. Ky kriter nuk do të jetë i detyrueshëm me skemën e re të strehimit social, pasi është parashikuar që qytetari të mund të marrë 100% të vlerës kredi, dhe pjesa e kolateralit do të mbulohet me një garanci sovrane nga shteti.

Nëse një i ri apo një familje nuk ka kursime për të paguar pjesën që nuk mbulon kredia, do të jetë shteti që do të futet përmes një garancie sovrane apo një instrumenti tjetër që do të mundësojë marrjen e huasë.

Report TV mëson se edhe vetë shteti do të krijojë një databazë me apartamentet e disponueshme në treg me vlera të ulta, për ti vënë në dispozicion të qytetarëve.

Pjesë e programit do të jetë edhe subvencionimi i 3 mijë qirave, deri në 50% për një vlerë që do të vendoset nga Këshilli Bashkiak. Përmes një platforme elektronike do të listohen pronat që do të jepen me qira dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë se kush do të jenë përfituesit dhe kohëzgjatjen e subvencionimit të qirasë.

Sipas projektligjit që këtë muaj miratohet edhe në Kuvend, nga ky program do të përfitojnë familjet me të ardhura të pamjaftueshme, të rinjtë deri 29 vjeç që kanë mbaruar arsimin (të mesëm, profesional ose universitar), dhe janë në 5 vitet e para të punësimit, familjet e reja, familjet me 1 prind dhe emigrantët e rikthyer në vend.

Me miratimin e ligjit dhe plotësimin e tij me aktet nënligjore, pritet të hapen thirrjet në nisje të 2027-ës, si për qiratë ashtu edhe për kreditë.