Ballina Rajoni Nuk u paraqit në polici, shpallet në kërkim Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i...

Nuk u paraqit në polici, shpallet në kërkim Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe

26
0

Nuk u paraqit në polici, mister vendndodhja e Milan Radoiçiçit! Dyshohet se është arratisur në Rusi

Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe organizatori i vetëdeklaruar i sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është paraqitur në policinë e Beogradit më 15 nëntor, duke shtuar dyshimet se mund të jetë larguar nga Serbia.

Radoiçiç ka shkelur detyrimin për t’u paraqitur në stacionin policor Savski Venac, ku duhet të raportojë dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15.

Gjykata e Lartë në Beograd nuk ka pranuar të konfirmojë apo mohojë mungesën e tij, duke deklaruar se po monitoron respektimin e masave të vendosura. Paraqitja e fundit e konfirmuar e Radoiçiçit në polici është ajo e 1 nëntorit.

Zhvillimi vjen pas deklaratave të ish-inspektorit të inteligjencës serbe, Milan Zvezdanoviç, i cili pretendoi se Radoiçiç ishte larguar drejt Moskës më 12 nëntor. Megjithatë, autoritetet serbe nuk kanë konfirmuar një largim të tillë.

Radoiçiç e ka të ndaluar të largohet nga Serbia pa miratimin e gjykatës, ndërsa pasaporta e tij mbahet nga autoritetet gjyqësore.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe është nën hetim në Beograd për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Kosovës, ku u vra efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Pavarësisht se ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur, ndaj tij ende nuk është ngritur aktakuzë në Serbi. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse mungesa në polici do të pasohet me një urdhër-arrest nga autoritetet serbe.