Një aeroplan me 90 udhëtarë, i cili mbërriti në Mal të Zi nga Serbia të mërkurën, është ndaluar në aeroportin e Tivatit ku policia vendase po kryhen kontrolle policore mbi udhëtarët.
Policia malazeze njoftoi se po kryhen kontrolle të shtuara në aeroport në prag të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tivat më 5 qershor.
“Në këtë kontekst, në pikën kufitare të Aeroportit të Tivatit në linjën Beograd-Tivat u caktua një fluturim çarter, me të cilin rreth 90 qytetarë serbë mbërritën në Mal të Zi këtë mëngjes”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Policia shtoi se po zhvillon “kontrolle dhe verifikim të arsyes së ardhjes dhe qëndrimit të personave”.
Ajo njoftoi gjithashtu se “do të merren masa kufizuese në përputhje me ligjin nëse ka baza ligjore për ta bërë këtë”.
Policia malazeze nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes nga Radio Evropa e Lirë (REL) në lidhje me raportimet e gazetës Vijesti të Podgoricës, sipas të cilës, udhëtarët që mbërritën me këtë fluturim ishin “persona me interes nga një perspektivë sigurie” dhe se “kryesisht kishin të dhëna penale”.
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizja Evropa Sot, Tonqi Janoviç, vlerësoi reagimin e autoriteteve në Mal të Zi.
Ai shkroi në rrjetin social X se “një grup njerëzish me dosje të gjera vendosën të vinin në Tivat, pikërisht në kohën e tubimit më të madh ndërkombëtar në Mal të Zi, kur janë në fuqi masat më të larta të sigurisë”.
“Një zgjedhje shumë interesante termash”, shkroi Janoviç, duke shtuar se kjo ngjarje tregon se kërcënimet hibride dhe kërcënimet e tjera të sigurisë janë një realitet i botës moderne, por edhe se Mali i Zi ka institucione që e marrin seriozisht punën e tyre.
As Policia serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me raportimet e disa mediave malazeze se këta individë “kanë për detyrë sigurimin jozyrtar të qëndrimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat”.
Presidenca serbe nuk deshi të komentojë.
Ndërkohë, linja ajrore kombëtare Air Serbia nuk u përgjigj në pyetjet nëse avioni në fjalë është i kompanisë së saj, dhe se kush e kishte marrë me qira avionin.
Samiti i Bashkimit Evropian – Ballkanit Perëndimor do të mbledhë së bashku udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe gjashtë vendeve të rajonit në Tivat.
Pjesëmarrja u konfirmua edhe nga presidenti i Serbisë, i cili bojkotoi samitin e fundit të mbajtur në Bruksel në dhjetor 2025.
Mbledhja e këtij viti në Mal të Zi ka një rëndësi të veçantë, pasi është i vetmi vend në rajon që aktualisht ka një mundësi të mirëfilltë anëtarësimi./REL







