Ballina Politika Projektet e dhëndrit të Donald Trump në Shqipëri, Rama: Nuk ka kërkesë...

Projektet e dhëndrit të Donald Trump në Shqipëri, Rama: Nuk ka kërkesë zyrtare….Do të sjellë fitime të jashtëzakonshme për vendin

9
0

“Ne kemi nevojë për super luks, ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë”. Kështu shprehet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një prononcim të shkurtër për “Financial Times”, sa i takon planeve të Jared Kushner në Shqipëri.

Rama sqaron se qasja fillestare për projektin miliona dollarësh të dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump për transformimin e ishullit të Sazanit u bë nga vetë Kushner.

Kjo ndryshe nga planet e investimeve në Serbi, të cilat duket se patën një “negociator”, ish të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Kushner dhe Grenell bënë uverturën në Shqipëri përpara se të ktheheshin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim është se në Shqipëri ishte Kushner, jo Grenell, ai që bëri qasjen fillestare”.

“Në Serbi sigurisht që Grenell ishte prezantuesi, por këtu jo”, thotë Rama.

Në mars numri një i Qeverisë theksoi se, Kushner ka bërë një kërkesë zyrtare për ishullin e Sazanit, që ai të investojë aty për ngritjen e një resorti turistik luksoz.

Megjithatë, Rama ka thënë po ashtu se Kushner me kompaninë e tij nuk ka bërë kërkesë zyrtare sa i takon Zvërnecit.

Vetë fakti se investimi mund të ndodhë ndërkaq, sipas Ramës, do të sjellë fitime të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi në idenë e ngritjes së një zone luksi turistik, një turist aty pritet të shpenzojë një shumë aq sa 100 turistë të zakonshëm në vend, duke u kthyer kështu në një zonë të turizmit të lartë për herë të parë në Shqipëri.