Ballina Kulturë Fundosja e Arandora Star: Krimi nazist që ka nxitur breza të tërë...

Fundosja e Arandora Star: Krimi nazist që ka nxitur breza të tërë teorish konspirative

62
0

Nga Simona Palladino

Vetëm pak ditë para se të fillonte Beteja e Britanisë në korrik të vitit 1940, më shumë se 800 civilë u vranë në brigjet e Irlandës kur një nëndetëse gjermane fundos një anije luksoze turistike me pesë yje.

Personat në bord ishin të internuar gjermanë, austriakë dhe italianë, të konsideruar si “të huaj armiq” nga qeveria britanike, të cilët po deportoheshin drejt Kanadasë.

Pse nazistët fundosën një anije civile nuk është shpjeguar kurrë plotësisht.

Megjithatë, fundosja e Arandora Star mbetet një nga krimet e luftës më pak të njohura të Luftës së Dytë Botërore.

Kërkimi im ka shqyrtuar historitë gojore të disa familjeve italiane në Mbretërinë e Bashkuar që kujtojnë Luftën e Dytë Botërore. Projekti im më i fundit ka analizuar efektet afatgjata të fundosjes së Arandora Star, si janë përjetuar dhe si janë transmetuar ato ndër breza.

Sulmi

Arandora Star ishte një anije turistike e klasit të parë, e ndërtuar në vitin 1927 nga kompania CammellLairdLtd, në Birkenhead, pranë Liverpool-it. Ishte një nga anijet më të njohura në botë atë kohë.

Kur shpërtheu lufta, Arandora, si shumë anije tregtare, u vu në dispozicion të qeverisë britanike. Nën komandën e kapitenit E.W. Moulton, ajo u urdhërua të transportonte të internuar gjermanë, austriakë dhe italianë nga Liverpool-i drejt Kanadasë.

Më shumë se 1600 burra u detyruan të hipnin në anije, e cila ishte projektuar për vetëm 500 persona. Të internuarit u ngjeshën poshtë kuvertës dhe daljet ruheshin me tela me gjemba.

Me 2 korrik 1940, në mëngjesin pas nisjes së saj, Arandora u godit me silur nga një nëndetëse gjermane, rreth 100 milje në veriperëndim të Irlandës.

Rreth 805 burra u mbytën, mbi 50% e tyre italianë. Rreth 100 ushtarë dhe anëtarë të ekuipazhit britanik humbën gjithashtu jetën, përfshirë kapitenin e anijes.

Një marinar britanik i tha shtypit në vitin 1940 se Arandora u përmbys pjesërisht në njërën anë dhe u fundos, duke tërhequr poshtë edhe njerëzit që ndodheshin në disa nga varkat e shpëtimit. “Kur anija u zhduk,” tha ai, “kishte qindra burra në kuvertë … Një re avulli u ngrit rreth 30 metra lart, dhe vorbulla tërhoqi poshtë me të edhe varkat dhe njerëzit”.

Por momentet tragjike të fundit të anijes ishin vetëm fillimi i historisë për familjet e të përfshirëve.

Pjesë e studimit tim ishte realizimi i një dokumentari 15-minutësh, me titull “Mbytja e Arandora Star”, për të rritur ndërgjegjësimin mbi ksenofobinë dhe diskriminimin që përjetuan njerëzit dhe komunitetet që mbetën pas.

Filmi kap kujtimet e ngjarjes nga këndvështrimi i një pasardhësi.

Vincenzo Margiotta

Vincenzo Margiotta është një italian i gjeneratës së tretë në Liverpool, gjyshi i të cilit u internua dhe vdiq në Arandora Star.

Familja e Margiotta-s kishte emigruar në Skoci në fillim të shekullit të 20-të, nga Picinisco, Lazio, dhe kishte ngritur biznese në fushën e ushqimit.

“Gjithçka ishte shumë mirë. Jeta ishte e mirë,” tha ai, deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Pas shpalljes së luftës nga Benito Mussolini me 10 qershor 1940, ndjenjat anti-italiane shpërthyen mes qytetarëve britanikë.

Rreth 4500 burra italianë, nga mosha 16 deri në 70 vjeç dhe me më pak se 20 vite qëndrimi në Britani, u urdhëruan të internoheshin, përfshirë edhe gjyshin e Margiotta-s.

Studimet kanë treguar se të internuarit italianë konsideroheshin si “personazhet më të rrezikshëm”. Ata u deportuan edhe pse nuk ishte vlerësuar niveli i besnikërisë së tyre ndaj fashizmit.

Fillimisht, opinioni publik në Mbretërinë e Bashkuar mbështeste internimin e “të huajve armiq”. Megjithatë, pas tragjedisë së Arandora Star, dhe si rezultat i fushatave nga disa deputetë, opinioni ndryshoi dhe mbështeti lirimin e të internuarve “besnikë”. Në fund, ata mundën të aplikonin për lirim dhe shumë prej tyre shërbyen në forcat e armatosura.

Image

Vakumi i informacionit

Ndër vite, Margiotta dëgjoi shumë histori për atë që ndodhi me gjyshin e tij.

Një arsye për këtë ishte fakti që historia zyrtare ishte e paqartë. Për shembull, pse asnjë nga anijet që transportonin të deportuar nuk ishte shënuar si transport për robër lufte? Përkundrazi, ato lundronin pa shoqërim, të pajisura me armë kundër nëndetëseve dhe lëviznin me model zig-zag, duke u bërë objektiva të dukshëm për nëndetëset gjermane.

Studimet kanë treguar gjithashtu se familjarët e të internuarve nuk u informuan për tragjedinë e Arandoras për javë të tëra, dhe vetëm disa familje morën njoftimin “i zhdukur, i supozuar i mbytur” në prill 1941, kur lista e të zhdukurve u përfundua nga Ministria e Brendshme.

Si rrjedhojë, kujtimet e transmetuara gojarisht mes familjarëve dhe komunitetit u bënë burimi kryesor i informacionit për këtë grup.

Margiotta tha: “Dija ime për ngjarjen vinte nga historitë që dëgjoja rreth tryezës nga familje të tjera”, duke shtuar:

“Dikush e shtyu gjyshin tim nga anija dhe i tha të hidhej në ujë… ai kishte frikë sepse nuk dinte të notonte, duke bërtitur i tronditur nga ajo që po ndodhte rreth tij… dhe pastaj nuk u pa më kurrë.”

Ky transmetim gojor i kujtimeve mund të ketë ndikuar në lindjen e spekulimeve dhe mistereve. Fundosja është shoqëruar me rrëfime të ndryshme dhe shpesh të sajuara.

A kishte ar?

Margiotta tha se teoritë konspirative përfshinin “histori se anija transportonte ar për ta çuar në Kanada për të financuar luftën e Britanisë… se kishte ushtarë në bord; shumë histori. Të gjitha të pabazuara. Por ndoshta diku ka një histori që duhet të dalë në dritë”.

Është e qartë se mungesa e informacionit dhe e dokumenteve zyrtare krijoi një ndjenjë padrejtësie për humbjen e civilëve. Siç tha Margiotta në fund të intervistës:

“…Pse armiku do të donte të godiste me silur një anije të tillë? Pse një anije turistike me pesë yje… u godit me silur? Ka shumë pyetje pa përgjigje.”

Margiotta përfaqëson vetëm një nga shumë të afërmit e viktimave që kanë shprehur nevojën për të gjetur përgjigje për këto pyetje bazë.

Në kërkimet e mia të mëparshme kam folur me familje anglo-italiane në verilindje të Anglisë, të cilat ndanin të njëjtën dhimbje dhe zhgënjim. Ka ardhur koha që këtyre pyetjeve t’u jepet përgjigje.