“Otello” i William Shakespeare, një nga tragjeditë më të fuqishme të teatrit botëror do të vijë së shpejti në Teatrin Kombëtar me regjinë e Qëndrim Rijanit.
“Otello” do të interpretohet nga një kast aktorësh të mirënjohur: Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Linda Jarani, Donald Shehu, Luli Bitri, Viktor Zhusti, Artan Imami, Florian Agalliu, Genti Deçka, Alert Çeloaliaj dhe Krist Lleshi.
Vepra e Shekspirit, përkthyer nga i madhi Fan Noli që në fillim të shekullit XX (1913), ka një strukturë dramatike ku pushteti, dashuria dhe manipulimi përplasen deri në shkatërrim. Në qendër të saj është Otello, një gjeneral i nderuar, i cili bie pre e intrigave të Jagos dhe dyshimeve shkatërruese mbi besnikërinë e gruas së tij, Desdemonës. Përmes kësaj historie, vepra eksploron dobësitë njerëzore, besimin dhe pasojat fatale të manipulimit dhe mungesës së komunikimit.
“Otello” mbetet një nga veprat më dominuese në historinë e teatrit, që ka dëshmuar se nuk ka kohë dhe u përket tërë brezave. Kjo vepër u shkrua rreth vitit 1603, si një nga tragjeditë më të fuqishme të Shekspirit, ku xhelozia, manipulimi dhe tragjedia njerëzore ndërthuren në mënyrë dramatike.







