Ballina Politika Këlliçi reagon pas deklaratave të Brahos për imunitetin e Ballukut: SPAK nuk...

Këlliçi reagon pas deklaratave të Brahos për imunitetin e Ballukut: SPAK nuk paraqiti kërkesë të dytë për arrestimin për të shmangur përplasjen me Ramën!

20
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj qëndrimit të kreut të SPAK, Klodian Braho, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se shpjegimet e dhëna nga Braho për mosparaqitjen e një kërkese të dytë në Kuvend për Ballukun konfirmojnë, sipas tij, tërheqjen e Prokurorisë së Posaçme përballë kryeministrit Edi Rama.  Deputeti demokrat thotë se Braho ka argumentuar se nuk ka paraqitur një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të Ballukut, pavarësisht akuzave të reja për korrupsion dhe pastrim parash, pasi ajo do të rrëzohej sërish me votë në Kuvend.

overlay-cleverKëlliçi e konsideron këtë një moment të dyshimtë dhe ngre pikëpyetje mbi arsyet që e kanë çuar SPAK-un në këtë vendimmarrje. Sipas tij, prokuroria nuk e ka kryer detyrën për të shmangur një tjetër përplasje me mazhorancën parlamentare.

“Dështimi i Prokurorisë Speciale me Ballukun dhe tërheqja para Edi Ramës tregon se SPAK nuk e kaloi testin për të cilin është krijuar si institucion. Para syve të të gjithë shqiptarëve është shfaqur kontradikta se sa më shumë dilnin prova e pasuri të fshehura të Ballukut, aq më shumë ajo shijonte lirinë, ushtronte pushtet dhe këtë e manifestonte si trofe”, shkruan Këlliçi.

Në përfundim, deputeti demokrat e cilëson sfidimin e institucioneve të drejtësisë si një dëm të pariparueshëm për besimin e publikut dhe kërkon të dijë se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë.

 Postimi i plotë:

Shpjegimet e SPAK për Ballukun, konfirmojnë rënien dhe nënshtrimin total të Prokurorisë Speciale para Edi Ramës!
Me arsyetimin që ka dhënë para gazetarëve dje në një komunikim informal për rastin Balluku, kreu i SPAK vetëm sa ka konfirmuar tezën publike tanimë se prokuroria speciale e ngritur pikërisht për të luftuar korrupsionin në këto nivele, për të cilën janë investuar qindra miliona euro, ka bërë një kompromis të rëndë që ka cënuar imazhin dhe besimin tek kjo strukturë.

Sipas gazetarëve të pranishëm, kreu i SPAK paska thënë se nuk shkoi në Kuvend me kërkesë të dytë për Ballukun pas akuzave të reja për korrupsion e pastrim parash, sepse do të rrëzohej sërish me votë.
Ky është një moment shumë i dyshimtë. Si konkluzion del që SPAK nuk ka kryer detyrën sepse ka dashur të shpëtojë Edi Ramën nga një turpërim i dytë.

I pari ishte ai i 12 marsit kur kreu i organizatës rreshtoi 82 kartona në mbrojtje të aferave të Ballukut. Një goditje e rëndë për drejtësinë dhe avokati e korrupsionit, një vendosje e standartit të dyfishtë dhe konsolidim i paprekshmërisë që u përmend edhe në raportin e progresit të Komisionit Europian.
Megjithëse me prova të reja dhe akuza më të rënda se në rastin e parë, Braho e ka ditur mirë se Edi Rama do ta mbrojë sërish Ballukun! Po nga e di kreu i SPAK këtë? Ose është në dijeni se Edi Rama është i përfshirë vetë në ato vepra penale, ose se është i kapur nga Balluku dhe i shantazhuar prej saj?

Në secilin rast, kreu i SPAK është kështu në dijeni të një krimi edhe më të rëndë.
Dështimi i prokurorisë speciale me Ballukun dhe tërheqja para Edi Ramës, tregon se SPAK nuk e kaloi testin për të cilin është krijuar si institucion. Para syve të të gjithë shqiptarëve është shfaqur kontradita se sa më shumë dilnin prova e pasuri të fshehura të Ballukut, aq më shumë ajo shijonte lirinë, ushtronte pushtet, dhe këtë e manifestonte si trofe.

Sfidimi që i është bërë drejtësisë së re në këtë rast, është një kosto e parikuperueshme. Kush do të mbajë vallë përgjegjësi për këtë dëm?!