Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni të vogël pranë skajit verior të Parkut Kombëtar Grand Canyon, në shtetin e Arizonës, në SHBA.
Sipas gazetës britanike “The Guardian”, ngjarja është konfirmuar të hënën nga Shërbimi i Parkut Kombëtar (NPS), i cili ka bërë të ditur se të tre personat që ndodheshin në bord kanë vdekur.
Sipas raportimit, Qendra Rajonale e Komunikimit të Grand Canyonit kishte pranuar një njoftim për zhdukjen e një avioni të tipit “Piper Comanche”, rreth orës 23:30 të së dielës. Avioni ishte parë për herë të fundit në zonën Basin, në pjesën veriore të parkut.
Ekipet e kërkim-shpëtimit nisën kërkimet në orët e para të mëngjesit të së hënës. Rreth orës 10:15, autoritetet arritën të lokalizonin mbetjet e avionit dhe një zonë ku ishin shpërndarë ato.
Identiteti i viktimave nuk është bërë ende publik. Shërbimi i Parkut Kombëtar ka deklaruar se ky informacion nuk është publikuar në respekt të familjarëve të tyre.
Avioni u lokalizua pas një operacioni ajror të zhvilluar nga Departamenti i Sigurisë Publike i Arizonës, i cili përdori pajisje për shikim gjatë natës dhe teknologji infra të kuqe.
Në operacion morën pjesë gjithashtu ekipet e kërkim-shpëtimit të qarqeve Coconino dhe Kane, si dhe Qendra e Koordinimit të Shpëtimit e Forcave Ajrore amerikane.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit do të hetohen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), në bashkëpunim me Shërbimin e Parkut Kombëtar.
Zona ku ndodhi aksidenti ndodhet në një lartësi prej 2.4 deri në 2.7 kilometra mbi nivelin e detit, rreth 305 metra më lart se skaji jugor i Grand Canyonit.







