Nga Marsejda Braho
Në jetën publike ka figura që njihen për funksionin që ushtrojnë dhe të tjera që mund të kuptohen më mirë përmes marrëdhënies që ndërtojnë me vendin dhe njerëzit që përfaqësojnë. Në rastin e një drejtuesi vendor, kjo marrëdhënie merr një kuptim të veçantë, sepse qyteti është një hapësirë e përbashkët, ku vendimet politike prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.
Duke e parë Shijakun dhe zhvillimet e tij mendoj se për të kuptuar modelin e drejtimit të kryetarit aktual të bashkisë Shijak, z.Arbana, ia vlen të nisesh nga një pikë më themelore: nga raporti i tij me Shijakun si një qytetar.
Përpara se ta vlerësosh si politikan, vlerësoje si qytetar! Kush është Eltoni si qytetar shijakas? Përpara se të futej në politikë ka qenë pranë komunitetit përmes solidaritetit dhe mbështetjes për njerëzit në nevojë. Ka një ndjeshmëri njerëzore që nuk mësohet nga protokolli dhe nuk fitohet me një detyrë. Ajo buron nga një zë i brendshëm, nga aftësia për të kuptuar tjetrin dhe për të mos mbetur indiferent përballë vështirësisë së tij. Është një lloj intuite drejt njerëzores, një vlerë që i paraprin politikës dhe që merr një kuptim edhe më të madh kur njeriu gjendet përballë përgjegjësisë për një qytet të tërë. Te z Arbana, kjo anë njerëzore i paraprin angazhimit politik dhe mbetet një pjesë e rëndësishme e mënyrës se si ai e sheh dhe e ka ushtruar përgjegjësinë publike gjatë gjithë kësaj kohe si kryebashkiak.
Përgjegjësia publike merr një tjetër peshë kur njeriu që mban një detyrë e njeh qytetin si pjesë të jetës së vet, kur kupton problematikat, pritshmëritë e njerëzve.
Z. Arbana është shkolluar në Turqi. Ka pasur mundësinë të marrë një formim jashtë vendit dhe të ndërtojë përvojën e tij në një shtet tjetër. Megjithatë, zgjedhja që bëri ka qenë rikthimi në Shijak, në vendin ku ka rrënjët, ku ka ndërtuar jetën familjare dhe ku ka vendosur të rrisë fëmijët e tij. Kjo zgjedhje ka një domethënie që meriton të shihet edhe përtej biografisë personale.
Të jetosh në qytetin për të cilin merr vendime çdo ditë krijon një raport të veçantë me përgjegjësinë publike. Rrugët, shkollat, hapësirat publike, siguria, kultura dhe mundësitë ekonomike bëhen pjesë e një realiteti që e përjeton vetë, së bashku me komunitetin ku ke zgjedhur të ndërtosh jetën. Në këtë këndvështrim, Shijaku merr përmasat e një familjeje të madhe, ku çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë më shumë për vendin e tij.
Politika vendore është në thelb një provë e përditshme e karakterit dhe e aftësisë për të marrë përgjegjësi. Ajo matet me vendimet, me këmbënguljen për të zgjidhur problemet, me cilësinë e shërbimeve dhe me aftësinë për t’i dhënë qytetit një drejtim të qartë zhvillimi. Aristoteli e lidhte ekzistencën e qytetit me mundësinë për të jetuar mirë, një ide që mbetet aktuale edhe sot: zhvillimi i një komuniteti duhet të ketë gjithmonë në qendër cilësinë e jetës së njerëzve.
Në komunikimin publik të kryebashkiakut Arbana është e pranishme një ide që meriton vëmendje: mirënjohja për mbështetjen shoqërohet me përgjegjësinë për ta kthyer atë në punë, rezultate dhe shërbime më të mira për qytetarët. Kjo është një mënyrë e drejtë për ta kuptuar besimin publik, si një detyrim që duhet të provohet vazhdimisht përmes punës.
Edhe motoja e tij, “Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, shpreh një mënyrë të të parit të përgjegjësisë publike. Vullneti është pikënisje e rëndësishme, por vlera e tij merr kuptim kur shndërrohet në vendimmarrje, këmbëngulje dhe zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.
Shijaku ka nevojë për këtë frymë. Ka nevojë që investimet të vijojnë me të njëjtin ritëm, ka nevojë për një vizion që nuk kufizohet brenda afateve të mandatit.
Në një prej mesazheve të tij publike, z.Arbana shprehet: “Unë jam këtu për njerëzit dhe do të vazhdoj t’i shërbej njerëzve dhe të ardhmes së qytetit me të njëjtin vullnet dhe devotshmëri.”
Një nga mënyrat më të bukura për ta kuptuar këtë përgjegjësi është pikërisht përmes një mendimi që shkon përtej politikës: “Le t’i lejojmë fëmijët të ëndërrojnë. Ne kemi përgjegjësinë të punojmë që ëndrrat e tyre të gjejnë vend në qytetin ku po rriten.”
Ky është Shijaku që meriton të vazhdojë të zhvillohet, me vizionin e kryebashkiakut Arbana, si një qytet ku fëmijët të kenë arsye të besojnë te e ardhmja, ku puna e sotme të bëhet mundësi për brezat e nesërm. Një vizion që kërkon të ecë përpara, me të njëjtin vullnet për të shërbyer dhe me bindjen se e ardhmja e Shijakut është një përgjegjësi e politikës dhe e të gjithëve.







