Nga Indrit Gjyzeli
Është e vështirë të përcaktosh dikë që ka mbajtur gojën mbyllur kur është përcaktuar nga shefi si i pa vlerë, (për të mos përhapur më shumë atë që përmendet se ua ka thënë kryeministri). Është e vështirë ta mbrosh dikë që ka të njëjtën qetësi publike edhe kur tallet apo kur vihet në rresht të duartrokasë edhe atëherë kur duhet të ndalet e të kuptojë se heshtja mund zyrtarizojë apo konfirmojë të keqen për këtë vend.
Jam i bindur se pjesa më e madhe e anëtarëve të Asamblesë së socialistëve mund të ketë zier në enën e vet të inatit, por fatkeqësisht politika është akt publik dhe nuk njeh mendimet pa zë. E nëse Edi Rama i sheh bashkëpunëtorët e tij në nivel fekalesh, nuk mund të mos mbështillesh me një trishtim për mosreagim e tyre.
E kur ata nuk reagojnë për të mbrojtur dinjitetin e tyre, si mund të presin shumë qytetarë të tjerë që ata do ua mbrojnë dinjitetin. Sepse të rënit dakord që të të konsiderojnë një “mut” dhe të heshtësh, është më pas e vështirë mos ta përcjellësh këtë ndjesi në hierarkinë poshtë teje. Jeta ka treguar se servilat më të mëdhenj janë edhe arrogantët më të mëdhenj me vartësit.
E megjithatë, ata nuk janë të tillë se i etiketon kryeministri. Nëse ata mendojnë sot se ligjet represive, me gjoba e dënime, që miratojnë sipas asaj që ua imponon kryeministri janë vetëm për të tjerët dhe jo edhe për ata, gabojnë.
Poshtërimi që iu bë Spiropalit, duke e lënë “socialiste të thjeshtë” edhe pas dëshirës së tij për ta përjashtuar, bashkë me avokatin e Veliajt, është fiks ajo që ndërton ngrehinën e tmerrshme të poshtërimit, duke paralajmëruar këdo që mendon ndryshe nga shefi se do jetë i braktisur.
E imagjinoni një vartës të Ramës të pranojë nga vartësit e tij një mendim ndryshe pasi ai vijon të japë shembullin se askush nuk duhet të mendojë në atë parti veç tij?
Ata pak emra që folën në Asamble nuk mundëm t’ia thonin të vërtetat Ramës për bashkëqeverisjes e tij me Ergys Agasin. As nuk guxuan t’ia thonin se teoria që PS është garancia për pavarësinë e gjyqësorit ka rënë që kur ai detyroi Kuvendin të rrëzonte me 82 vota për të mos u hetuar Belinda Balluku. Nuk ja thanë as që PS nuk është votuar për të gënjyer për jetën në shtëpi me qira për Karçanajn, që rezulton me shtëpi e vila, e as për sigurinë që shfaq Ron Yafet për atë që do votojë qeveria kur i duhet atij.
Mbrojtja për Spiropalin apo të tjerë që u anatemuan më shumë se sa mbrojtje ishte legjitimimi i poshtërimit, ku duket se “mbretit Rama” tashmë i lejohet çdo tallje në kurriz të shqiptarëve.
Kështu, edhe nëse nuk e dimë me siguri që Rama është shprehur se “ata janë një m* pa të”, ata duhet të ndihen të tillë nëse vijojnë të heshtin kur Rama për pushtetin e tij rreh të rinjtë, studentët, të cilët kanë muaj që veç duan një përgjigje të sinqertë për një pyetje:
A mundet ta ëndërrojnë të ardhmen e tyre këtu ku kanë lindur dhe a do t’i ndihmojmë dot ne në këtë ëndërr?/Alfapress.al







