Përpara Kryeministrisë, çdo mbrëmje përsëritet pothuajse e njëjta skenë. Një grup qytetarësh protestojnë kundër qeverisë, ndërsa përballë tyre qëndrojnë forcat e Policisë së Shtetit. Në numër mund të jenë thuajse të barabartë. Në forcë, sigurisht që jo. Njëra palë ka pankarta dhe thirrje, tjetra uniforma, pranga dhe furgonë policie.
Edhe këtë të martë, më 17 nëntor, protesta paqësore përpara Kryeministrisë u shoqërua me ndërhyrjen e policisë, e cila shtyu qytetarët drejt trotuarit dhe shoqëroi disa prej tyre në komisariat, mes të cilëve vajza të reja.
Çfarë rreziku paraqesin disa vajza që protestojnë paqësisht, sa të nevojitet ndërhyrja fizike e policisë për t’i larguar? Aq më tepër kur vetë ndërhyrja e forcave të rendit duket se prodhon tensionin që supozohet të parandalojë.
Gjatë javëve të fundit, protestues janë shoqëruar ose arrestuar dhe kanë përfunduar përpara gjykatës. Një pjesë e arrestimeve janë shpallur të paligjshme, ndërsa të ndaluar të tjerë janë liruar. Sipas një investigimi të BIRN, mbi 20 për qind e arrestimeve të protestuesve deri në fund të tetorit janë vlerësuar të paligjshme nga prokuroria ose gjykata.
Ndërkohë, policia ka vijuar të shpërndajë edhe gjoba prej 5 mijë lekësh për pengim të qarkullimit rrugor.
Pra, një qytetar mund të dalë të protestojë paqësisht, të përfundojë në komisariat dhe të kalojë deri në dy ditë i privuar nga liria, përpara se gjykata të vendosë se arrestimi ka qenë i paligjshëm.
Dhe këtu fillon përgjegjësia e Skënder Hitajt. Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, a ka kërkuar ai llogari për arrestimet e shpallura të paligjshme? Kush i urdhëron shoqërimet dhe a është ndëshkuar ndonjë drejtues apo efektiv?
Policia ka të drejtë të ndërhyjë kur shkelet ligji, por jo ta trajtojë protestën paqësore si arsye të mjaftueshme për t’u hequr qytetarëve lirinë.
Sepse gjykata mund t’i lirojë protestuesit pas dy ditësh. Por kush ua kthen dy ditët e humbura? Dhe kush mban përgjegjësi për ata që ua morën?/vna







