Një protestë kombëtare është paralajmëruar të zhvillohet sot, në orën 14:00, ku qytetarë dhe mbështetës të opozitës pritet të mblidhen në Tiranë në vijim të aksionit kundër qeverisë. Protestat kombëtare do të vijojnë me një kalendar të përcaktuar, duke u zhvilluar çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.
Tubimi i sotëm vjen pas protestës së zhvilluar një ditë më parë, ku pati përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Gjatë tubimit të së martës, protestuesit u përpoqën të qëndronin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por Policia ndërhyri për t’i zhvendosur në trotuar, me argumentin se duhej të lirohej qarkullimi i automjeteve, në zbatim të aktit normativ të qeverisë.
Refuzimi i një pjese të protestuesve për t’u larguar nga bulevardi shkaktoi përplasje fizike me efektivët, ndërsa situata u tensionua më tej gjatë ndërhyrjeve të policisë për shoqërimin e disa prej pjesëmarrësve.







