Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare Peter Storey, ish-futbollisti legjendar i Arsenalit dhe ish-përfaqësuesi i Anglisë.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar klubi londinez, me të cilin Storey fitoi dy trofe të rëndësishëm në vitin 1971: titullin e kampionit të Anglisë dhe Kupën FA.
“E gjithë familja e Arsenalit është thellësisht e pikëlluar nga vdekja e Peter Storey, anëtarit të skuadrës që në sezonin 1970/71 fitoi dy trofe”, thuhet në njoftimin e klubit, i cili shprehu ngushëllime për familjen e tij.
Storey iu bashkua Arsenalit në vitin 1961, kur ishte vetëm 15-vjeçar, ndërsa debutimin me ekipin e parë e bëri në vitin 1965.
Ai luante si mbrojtës i djathtë dhe mesfushor, duke u bërë i njohur për lojën e tij të ashpër dhe vendosmërinë në fushë.
Me Arsenalin fitoi Kupën e Panaireve në vitin 1970, ndërsa një vit më vonë triumfoi në kampionat dhe në Kupën FA.
Një nga paraqitjet e tij më të rëndësishme ishte në gjysmëfinalen e Kupës FA kundër Stoke Cityt, ku shënoi të dy golat në barazimin 2:2, duke ndihmuar Arsenalin të siguronte ndeshjen e përsëritur.
Në total, Storey zhvilloi 501 ndeshje me Arsenalin dhe 19 paraqitje me kombëtaren e Anglisë.







