Revista amerikane “The Atlantic” i ka kushtuar një artikull të gjatë protestave në Shqipëri, duke analizuar se si kundërshtimi ndaj projektit të resortit luksoz të Jared Kushnerit në bregdetin shqiptar u shndërrua në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike.
Në artikullin e gazetarit Ariel Sabar, përshkruhet përshkallëzimi i protestave, roli i studentëve dhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj korrupsionit, nepotizmit dhe kushteve të jetesës.
Në ditën e tetë të protestave të dhunshme në Tiranë, gazetari i “The Atlantic” ndoqi një marshim të rreth 3 mijë personave në rrugët e kryeqytetit.
Në përshkrimin e tij, Sabar sjell pamje nga rrugët e Tiranës, ku protestuesit marshonin mes stacioneve të autobusëve të shkatërruara, vitrinave të thyera dhe godinave qeveritare të nxira nga zjarri.
Një pjesë e turmës brohoriste kundër patronazhistëve, ndërsa në pankarta dhe thirrje shfaqej zemërimi ndaj rrjeteve të patronazhit politik, që sipas protestuesve shpërblejnë besnikërinë partiake në vend të meritës.
Gazetari përshkruan edhe përplasjet para Ministrisë së Arsimit, ku protestues të maskuar thyen gurë nga trotuaret dhe i hodhën drejt dritareve të institucionit. Më pas, në rrugë u fut një automjet i rëndë policie me ujëhedhëse, ndërsa në mbrëmje, pranë Kryeministrisë, pati shpërthime, përdorim të gazit lotsjellës dhe hedhje të molotovëve.
Artikulli e lidh zemërimin e protestuesve me një sërë problemesh që, sipas tyre, kanë shoqëruar vendin prej vitesh. Shqipëria përshkruhet si një prej vendeve më të varfra të Europës, nga ku largohen çdo vit rreth 40 mijë qytetarë.
Ndërkohë, në listën e politikanëve të rëndësishëm të akuzuar së fundmi për korrupsion përmenden një ish-kryeministër, një zv.kryeministër, një ish-president dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili ndodhet në burg.
Projekti i Kushnerit, shkëndija që ndezi protestat
Sipas “The Atlantic”, shkëndija fillestare e protestave në muajin maj ishte projekti i Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore në jug të Shqipërisë, ku grumbullohen flamingot.
Gazetari ndalet te zona bregdetare mes detit Adriatik dhe një lagune, e cila gëzon statusin e peizazhit të mbrojtur që prej vitit 2004. Në këtë territor bëjnë foletë breshkat e detit, ndërsa ujërat janë habitat edhe për fokat mesdhetare, një prej gjitarëve më të rrallë në botë.
Artikulli kujton se në shkurt të vitit 2024, Kuvendi miratoi një ligj që lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje ose më shumë në zona të mbrojtura.
Tre javë më vonë, Kushner publikoi në Instagram pamjet e projektit të tij, që parashikon një resort prej 657 hektarësh, me klub jahtesh, kazino dhe rezidenca buzë detit, të cilat në një dokument të rrjedhur përshkruheshin si “Vila për miliarderë”.
Më tej, Sabar shkruan se një komitet qeveritar i drejtuar nga kryeministri Edi Rama i dha Kushnerit dhe partnerëve të tij statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një tjetër resorti në një ishull pranë zonës. Ky status u mundësonte procedura të përshpejtuara dhe lehtësi të mbështetura nga shteti.
Një nga episodet që, sipas artikullit, nxiti zemërimin e qytetarëve ishte dhuna ndaj një peshkatari, i cili kishte lidhje familjare të hershme me zonën.
Në një video që qarkulloi në rrjetet sociale, ai shihej duke u goditur dhe më pas duke u larguar me forcë nga punonjësit e sigurisë private të zhvilluesve të projektit. Peshkatari pretendoi më vonë se i kishin drejtuar armët në kokë, ndërsa policia, sipas përshkrimit të artikullit, nuk ndërhyri.
Për studentët dhe shumë qytetarë të tjerë, kjo ngjarje u kthye në simbol të pafuqisë përballë pushtetit. Sipas tyre, drejtuesit e vendit favorizojnë investitorët e huaj, oligarkët dhe njerëzit pranë partisë, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me vështirësi të shumta.
Nga mbrojtja e natyrës te kërkesa për dorëheqjen e Ramës
“The Atlantic” sjell në vëmendje historinë e Megi Ibrahimit, një studente 20-vjeçare në Universitetin Politeknik të Tiranës, e cila u përfshi në protestat që nisën kundër projektit të resortit. Ajo tregon se e kishte parë videon e dhunës ndaj peshkatarit teksa ndodhej në një kafene me miqtë e saj.
“Jam shqiptare dhe dua të jetoj në vendin tim”, citohet të ketë thënë Ibrahimi, duke shtuar se pamjet e dhunës i kishin krijuar ndjesinë se dinjiteti i shqiptarëve po tërhiqej zvarrë nëpër dunat e rërës.
Protestat nisën në zonën e resortit dhe u përhapën më pas në Tiranë, ku demonstruesit mbanin pankarta me mesazhin se Shqipëria nuk është në shitje. Në kulmin e tyre, në mesin e muajit qershor, në protesta morën pjesë rreth 100 mijë persona, sipas vlerësimit të cituar në artikull.
Me kalimin e kohës, kundërshtimi ndaj projektit të Kushnerit u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Në fokus u vendosën korrupsioni, kushtet në arsim dhe kostoja e jetesës.
Artikulli përmend edhe pjesëmarrjen e familjeve, pensionistëve dhe të rinjve, duke e cilësuar lëvizjen si një prej mobilizimeve më të rëndësishme qytetare në Shqipëri që prej vitit 1991, kur studentët rrëzuan simbolikisht statujën e diktatorit Enver Hoxha.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama nuk u tërhoq përballë protestave. Në një deklaratë për Reuters në fillim të qershorit, ai kishte thënë se nuk kishte asnjë mundësi që investimi të ndalej për sa kohë ai do të ishte në detyrë.
Fillimisht, protestuesit kishin pesë kërkesa, mes të cilave kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe shfuqizimin e ligjeve që favorizonin projektet e Kushnerit. Por, përballë qëndrimit të qeverisë, studentët e përqendruan lëvizjen në një kërkesë të vetme: dorëheqjen e Edi Ramës.
Ata caktuan 13 tetorin si datën e nisjes së një vale të re protestash të udhëhequra nga studentët, duke zgjedhur Ministrinë e Arsimit si pikë grumbullimi. Megi Ibrahimi, sipas artikullit, ndihmoi në promovimin e protestës dhe shpërndarjen e datës në Tiranë.
Përplasjet dhe qëndrimi i qeverisë
Artikulli përshkruan edhe përshkallëzimin e protestave pas 13 tetorit, kur demonstrues të maskuar hodhën gurë, fishekzjarrë dhe molotovë drejt godinave qeveritare dhe policisë. Në ditët që pasuan, u raportuan zjarre në banka, ministri, një komisariat policie dhe në Gjykatën e Lartë.
Ibrahimi tregon se në fillim qëndronte në vijën e parë të protestës, përballë policisë, por më vonë u përqendrua në ndihmën ndaj protestuesve që kishin vështirësi në frymëmarrje për shkak të gazit lotsjellës. Sipas shifrave zyrtare të cituara nga revista, deri në fund të tetorit ishin plagosur 107 protestues dhe 201 punonjës policie.
Gazetari sjell edhe qëndrimin e analistit politik Arlind Qori, i cili e cilësoi dhunën si të pashmangshme, duke argumentuar se protestat paqësore nuk kishin sjellë rezultat.
Ndërkohë, në një intervistë për autorin e artikullit, Rama e cilësoi zemërimin ndaj projektit të Kushnerit si të pabazë dhe pretendoi se ishte nxitur nga qëndrimi i gazetarëve ndaj dhëndrit të presidentit Trump. Ai pranoi se korrupsioni kishte qenë një problem i madh për Shqipërinë, por tha se prokurorët e pavarur po e luftonin atë, edhe brenda radhëve të qeverisë.
Kryeministri ia atribuoi dhunën e protestave grupeve antifashiste, krimit të organizuar dhe kundërshtarëve politikë. Sipas tij, opozita kërkon ta largojë nga pushteti përmes presionit në rrugë, pasi nuk mund ta mposhtë në zgjedhje.
Nga ana tjetër, projekti i Kushnerit vijonte të ishte nën shqyrtim dhe nuk kishte marrë ende miratimet përfundimtare. Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij, Kushner kishte pranuar se banorët kishin shqetësime legjitime, duke theksuar se në fund do të ishte Shqipëria ajo që do të vendoste nëse projekti do të realizohej.
Studentët shohin nga Serbia
Një tjetër element i artikullit është mungesa e një udhëheqësi të vetëm të lëvizjes studentore. Sipas protestuesve, ata druhen se çdo përfaqësues i zgjedhur mund të korruptohet nga partia në pushtet ose të bëhet objekt sulmesh.
Në këtë kontekst, studentët shqiptarë kanë ndjekur nga afër zhvillimet në Serbi, ku një lëvizje studentore arriti të sfidojë pushtetin e Aleksandar Vuçiçit. Artikulli vëren ngjashmëritë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe mbështetjen e Vuçiçit për një projekt luksoz të lidhur me Kushnerin, të cilin biznesmeni amerikan e braktisi në vitin 2025, pasi prokurorët serbë ngritën akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve të përfshirë.
Në fund të artikullit, gazetari rikthehet te studentja Megi Ibrahimi, të cilën e gjen sërish pranë Ministrisë së Arsimit, mes një turme më të vogël dhe të lodhur nga protestat. Në këtë skenë, një grua e moshuar mbërrin me një karrocë dhe u ofron të rinjve xhaketat e dimrit të fëmijëve të saj, të cilët tashmë jetojnë jashtë vendit.
Një gjest simbolik që mbyll rrëfimin e “The Atlantic” për një brez të ri shqiptarësh që, pavarësisht largimit të shumë bashkëmoshatarëve të tyre, thonë se duan të qëndrojnë në vend dhe të luftojnë për të ardhmen e tyre.







