Ballina Lifestyle Tommy Lee Jones shndërrohet në Pikachu: veshë të verdhë dhe bisht në...

Tommy Lee Jones shndërrohet në Pikachu: veshë të verdhë dhe bisht në reklamat e Tokios

31
0

Ka luajtur disa nga personazhet më të ashpër të Hollywoodit, por tani Tommy Lee Jones është shfaqur me veshë të verdhë dhe bisht. Aktori 80-vjeçar, fitues i Oskarit, u shndërrua në Pikachu për një fushatë reklamuese japoneze që shënon 30-vjetorin e Pokémonit.

Sipas portalit japonez SoraNews24, të cituar nga Malay Mail, pamja e re është pjesë e bashkëpunimit mes kafesë në kanaçe Boss të kompanisë Suntory dhe franshizës së famshme Pokémon.

Jones nuk është i ri në botën e reklamave të çuditshme japoneze. Prej vitesh ai luan në reklamat e Boss personazhin “Alien Jones”, një jashtëtokësor gjakftohtë i dërguar në Tokë për të vëzhguar zakonet e njerëzve. Këtë herë, objekt i studimit të tij janë bërë krijesat e Pokémonit.

Në videot shoqëruese, “Alien Jones” vëzhgon disa prej tyre, mes të cilave edhe Psyduck-un, Pokémon-in gjithmonë të stresuar, dhimbjet e kokës të të cilit i japin fuqi psikike.

Pamja e aktorit me veshët e Pikachut mbizotëron tashmë stacionin Ueno në Tokio, ku janë vendosur ekrane të mëdha reklamuese, ndërsa posterat e fushatës janë shfaqur edhe në stacionet e autobusëve në kryeqytetin japonez.

Publiku e njeh Tommy Lee Jones-in nga filma si “Men in Black”, “The Fugitive” dhe “No Country for Old Men”. Për rolin te “The Fugitive” ai fitoi Oskarin për aktorin më të mirë dytësor.